Reagon ish-ministri i Drejtësisë: Albulena Haxhiu po e rrezikon mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi i ka reaguar ministres aktuale të këtij dikasteri, Albulena Haxhiu në lidhje me konferencën për media të mbajtur sot ku paralajmëroi shkarkimin e drejtorit të Shërbimit Korrektues si dhe bëri të ditur se pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë do të bëhen publike.

Lajme

23/04/2021 13:24

Selimi me anë të një postimi në Facebook ka thënë se dhënia me qira e tokës për të cilën pretendon Haxhiu ka ndodhur me ankand publik dhe paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues, shkruan lajmi.net.

“Ftoj ministren që ne bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen. Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë”, ka thënë ai.

Selimi po ashtu ka thënë se me vendimin për deklasifikimin e pagesave për të akuzuarit e Speciales, Haxhiu e rrezikon seriozisht mbrojtjen e tyre.

Postimi i plotë i Selimit:

Të nderuar qytetarë,

Sot Ministrja e Drejtësisë ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka dhënë një sër akuzash rreth punës sime në Ministri me motive krejtësisht politike.

Më lejoni që të ju informoj, që rasti i tokës së ShKK-së është një proces i cili ka filluar para mandatit tim si Ministër. Ministrja Haxhiu e din këtë shumë mirë. Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin.

Ftoj ministren që ne bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen. Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë.

Gjithashtu me vendimin për deklasifikimin e pagesave për të akuzuarit në Gjykatën Speciale, sot Ministrja ka vendosur që të rrezikojë mbrojtjen e të akuzuarve dhe ta prishë barazinë e armëve, rrjedhimisht duke ndikuar në dobësimin e pozicionit të mbrojtësve të Kosovës.

Spin doktoratë e VV-së kanë bërë një gabim të madh të diversionit dhe kanë zgjedhur që të fillojnë një betejë të cilën do ta humbin. /Lajmi.net/