Reagojnë partitë politike për tragjedinë në TC Kosova A
Të gjitha subjektet kryesore politike të cilat po garojnë në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, kanë ndaluar aktivitetet e tyre të fushatës parazgjedhore.

Lajme
Si shkak i tragjedisë së ndodhur në Termocentralin Kosova A në Obiliq, PDK, LDK, VV, AAK, AKR dhe PF, kanë, përmes komunikatave, kanë bërë të ditur se nuk do t’i zhvillojnë takimet me elektorat, të parapara të mbahen sot.
Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate njofton se kreu i tyre, Hashim Thaçi, ka pezulluar të gjitha aktivitetet e fushatës.
“Pas shpërthimit serioz me pasoja të rënda në Koroporatën Elektrike të Kosovës, kryetari Hashim Thaçi, pezullon të gjitha aktivitetet e fushatës elektorale”.
“Thaçi vlerëson se ky është momenti kur të gjithë duhet të jemi së bashku pranë punëtorëve të KEK-ut dhe familjarëve të tyre. Të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse tashmë janë në krye të detyrës të angazhuara për ta përballur situatën dhe për të shpëtuar çdo jetë të punëtorëve”.
Edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur dhimbjen e tij të thellë dhe të LDK-së për humbjen e jetëve të punëtorëve të KEK-ut, si pasojë e një shpërthimi që ndodhi sot.
“Jemi tepër të tronditur nga kjo tragjedi dhe ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjeve të punëtorëve që humbën”, ka thënë Kryetari Mustafa.
Lëvizja Vetëvendosje, përmes njoftimit, ka shprehë ngushëllime për punëtorët që kanë humbur jetën, dhe kanë bërë të ditur se kanë anuluar të gjitha akitivtetet parazgjedhore.
“Pas shpërthimit në Termocentralin Kosova A, Lëvizja Vetëvendosje ngushëllon familjet e punëtorëve që humbën jetën tragjikisht në vendin e tyre të punës.
“Në shenjë solidariteti me familjet e të vdekurve dhe të të lënduarve Lëvizja Vetëvendosje i anulon të gjitha aktivitetet zgjedhore të planifikuara për sot”.
“I bëjmë thirrje, dhe jemi në mbështetje, të institucioneve përkatëse që të punojnë sa më shpejt në shmangien e rrezikut që mund t’u kanoset personave të tjerë, në lokalizimin dhe evitimin e defekteve teknike në vazhdim, në gjetjen dhe shpëtimin e personave të tjerë që mund të jenë të rrezikuar, si dhe në sanimin e gjendjes”.
Kreu i Aleanca për Ardhmërinë Kosovës-së, Ramush Haradinaj, gjithashtu ka vendosur që të ndërpritet fushatën e subjektit të tij.
“Pas lajmit për tragjedinë në KEK, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur të ndërpritet aktivitet parazgjedhore dhe është nisur për në Obiliq për t\’u informuar në vend të ngjarjes”.
“Në këtë çast duhet të solidarizohemi me familjet e atyre që kanë pësuar nga kjo tragjedi”i.
“Haradinaj fton të gjithë mekanizmat dhe institucionet relevante për menaxhimin e situatës së krijuar dhe ofrimin e ndihmës për të dëmtuarit”.
“Në këto momente të gjithë duhet të mobilizohemi për ndihmë dhe njëkohësisht kërkojmë të hetohen shkaktarët e kësaj tragjedie”.
Kreu i Aleancës Kosovar e Re, Behgjet Pacolli përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, kërkon të ndërpritet fushata, për të shmangur kështu mundësitë e politizimit të kësaj fushate.
“Në përpjekje për të shmangur politizimin e mundshëm të kësaj ngjarjeje në ditën e fundit të fushatës. AKR bën thirrje për ndalimin e fushatës zgjedhore për të lejuar nderimin dinjitoz të të vdekurve dhe respektimin e familjeve të tyre”.
“AKR kërkon shpalljen ditë zie në nivel Kosove për nderimin e viktimave. Nëse partitë e tjera nuk pajtohen me këtë propozim, AKR kërkon që të mos politizohet ngjarja”.
Edhe Partia e Fortë ka qenë subjekti politik që ka njoftuar për ndërprerje të fushatës.
“Partia e Fortë i shprehë ngushëllime familjarëve të viktimave të shpërthimit të sotëm në Termocentralin A dhe shpreson shërim të shpejtë për të lënduarit”.
“Kjo tragjedi ka prekur të gjithë dhe vazhdimi i fushatës elektorale nuk ka kuptim në këtë situatë të rëndë. Të gjitha aktivitet të cilat i kemi planifikuar për sot anulohen. Fushata e Partisë së Fortë shpallet e mbyllur nga ky moment”.