Reagoi edhe ambasada gjermane, por Osmani në një linjë me VV’në- thotë se s’ua ndalon askush komentimet mbi Gjykatën Kushtetuese
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar deklaratën e ambasadës gjermane në Prishtinë, e cila u bëri thirrje partive politike në vend që të respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe të përmbahen nga sulmet apo ndërhyrjet ndaj saj. Në pyetjen e lajmi.net mbi komentet e ambasadës gjermane mbi sulmet që po i bëhen Gjykatës Kushtetuese, Osmani deklaroi…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar deklaratën e ambasadës gjermane në Prishtinë, e cila u bëri thirrje partive politike në vend që të respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe të përmbahen nga sulmet apo ndërhyrjet ndaj saj.
Në pyetjen e lajmi.net mbi komentet e ambasadës gjermane mbi sulmet që po i bëhen Gjykatës Kushtetuese, Osmani deklaroi se e mbështet plotësisht pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, por theksoi se e drejta për komentim dhe kritikë profesionale është pjesë e demokracisë.
“Sa i përket deklaratës së ambasadës gjermane… thuhet qartë se institucionet e drejtësisë supozohet edhe për Gjykatën Kushtuese duhet të punojnë në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me parimin e sundimit të ligjit. Si president e Republikës kërkoj këtë, pavarësi në vendimmarrje, integritet në vendimmarrje, interpretim të Kushtetutës dhe në interesat e Kosovës e mbrojtje të Republikës së Kosovës nga rrezikimi i themeleve të Kushtetues”, tha ajo.
Ajo mohoi se komentet e saj përbëjnë sulm apo presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“Në asnjë moment nuk konsideroj se jam duke e kritikuar, sulmuar apo minuar punën e Gjykatës. Përkundrazi po e kryej punën time si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës. Sa i përket sulmeve në përgjithësi se s’kam arritur t’i përcjelli të gjitha zhvillimet politike në Kosovë se është e pamundur, ta themi qartë s Kushtetuta nuk e ndalon as praktika demokratike kudo në botë që ne të komentojmë vendimet e gjykatave”, u shpreh Osmani.
Osmani theksoi se në demokracitë perëndimore komentimi i vendimeve gjyqësore është i zakonshëm dhe nuk përbën ndërhyrje.
“Sepse thonë ndalohet komentimi, është gënjeshtër nuk ndalohet e as nuk ndalohet kritika për gjykatën e kam fjalën për kritikën profesionale. Këto janë në suaza të normales e në suaza të demokracisë. Republika e Kosovës është shtet që garanton lirinë e shprehjes dhe lirinë për të mos u pajtuar me aktet gjykuese”, tregoi Osmani.
Ajo shtoi se respektimi i vendimeve është obligim, por kjo nuk i ndalon qytetarët e as zyrtarët që të shprehin mendim.
“Pyetja do të ishte se a i zbatojmë ato vendime? Tash mos të pretendojmë se gjykatësit janë shenjtëri, pra mund të flasim edhe për punën e tyre siç flisni për punën time e të tjerëve. Edhe Gjykata Kushtetuese nuk janë mbi Kushtetutën, pra s’po flasim për shenjtëri por brenda normave të debatit demokratik në çdo vend të botës. Që kur njerëzit nuk pajtohen për një vendim, e diskutojnë e komentojnë”, tha Osmani.
Presidentja përmbylli duke ritheksuar qëndrimin e saj kundër çdo forme të dhunës.
“Gjithnjë i kemi respektuar dhe zbatuar të gjitha ato aktgjykime, e në plot vende demokratike që ne i marrim si model në zhvillim çdo ditë në qoftë se hyni çdo ditë i shihni deklaratat e politikanëve për gjykatat e vendimet që nuk pajtohen e kjo nuk konsiderohet ndërhyrje e minim, por në suaza normale demokratike. Por asnjëherë të shpie në suaza të dhunës…pra jam kundër keqpërdorimit të shprehjes për nxitje të dhunës’, tha presidentja./Lajmi.net/