Reagime anë e kënd, por Kurti e Osmani s’e thonë asnjë fjalë për provokimin e rëndë të Vuçiqit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka provokuar dhe ka nxitur urrejtje ndaj shqiptarëve të Kosovës duke vendosur brenda hartës së Kosovës flamurin e shtetit serb.

Lajme
Në fotografinë e postuar nga Vuçiq shkruhej se Serbia nuk është e dobët, nuk kërcënon por nuk harron dhe kjo ka ngjallur reagime anë e kënd, shkruan lajmi.net.
Por, ka rënë në sy fakti se lidhur me këtë provokim të Vuçiq nuk kanë reaguar as lideri i Lëvizjes Vetëvendosje i cili pretendon që nga e hëna të marrë për herë të dytë në udhëheqje shtetin e Kosovës si kryeministër dhe as pretendentja nga lista e kësaj partie për presidente të vendit, Vjosa Osmani.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, LVV mori 58 mandate në Kuvendin e Kosovës dhe synon të udhëheq me shtetin me dy figurat kryesore, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin të cilët kanë deklaruar po ashtu se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tyre.
Por, as njëri e as tjetri nuk kanë marrë mundin që të reagojnë ndaj provokimit të rëndë që Serbia zyrtare madje nëpërmjet presidentit të vet, Aleksandër Vuçiq ia bëri kosovarëve dhe shtetit të Kosovës.
Lidhur me këtë kanë reaguar figura të rëndësishme nga skena publike e politike në Kosovë e Shqipëri, por gjithashtu ka pasur edhe reagim nga Bashkimi Evropian të cilët e kanë dënuar këtë sjellje të Vuçiq.
Mbrëmë, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj nëpërmjet një postimi në Twitter ka qenë i ashpër ndaj presidentit serb duke thënë se Serbia nën sundimin e Vuçiq është në gjendje hipnoze ku nxitet urrejtje dhe propagandë ndaj fqinjëve.
“Serbia nën @avucic sundimi autokratik është në një gjendje hipnoze ku propaganda & urrejtja nxiten kundër fqinjëve. # Kosova si një shtet i pavarur dhe sovran është muri i vlerave euro-arlantike kundër mentalitetit të moshës së mesme”, ka shkruar Hoxhaj.
Më i butë në reagim ka qenë kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti. Ai në reagimin e tij thotë se nga kjo deklaratë shihet qasja destruktive e Serbisë.
Ai shprehet se Kosova po vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit në NATO, Bashkim Evropian dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare relevante.
“Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregon qasjen destruktive që ka pasur në vazhdimësi fqinji ynë verior në raport me Republikën e Kosovës, përkundër zotimeve të shumta që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen, stabiliteti dhe prosperitetin e rajonit. Megjithë provokimet që vijnë nga fqinji ynë verior, Republika e Kosovës, përmes angazhimit dhe vendosmërisë, sigurt po vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO, Bashkimin Evropian dhe në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare.”, tha Hoti.
Lidhur me deklarimin e Vuçiq kanë reaguar edhe Bashkimi Evropian. Një zëdhënës i BE-së për një përgjigje për mediet kosovare ka shkruar se i bën thirrje akterëve politikë në Kosovë e Serbi që të promovojnë hapësirën e favorshme për stabilitet dhe bashkëpunim.
”BE-ja gjithmonë u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Serbi, Kosovë dhe në pjesën tjetër të rajonit që të angazhohen në veprime dhe deklarata që krijojnë dhe promovojnë një atmosferë të favorshme për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin, dhe jo e kundërta”, shprehet një zëdhënës i BE-së.
Asnjë reagim nuk ka pasur as nga Tirana zyrtare. Megjithatë, kanë reaguar aktorë politikë e ish-politikanë nga Shqipëria.
Ish-presidenti Bujar Nishani ka kritikuar Tiranën zyrtare që nuk ka dhënë asnjë reagim lidhur me këtë çështje derisa ka shtuar se provokimi i tillë është provokim për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.
“Provokimi i Presidentit të Serbisë Vuçiç mbi Republikën e Kosovës është një provokim dhe kërcënim mbi sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”, ka shkruar Nishani.
Gjithashtu, reagim ka pasur edhe nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Ai në reagimin e tij e ka quajtur bastard të Sheshelit, Gebles të Millosheviqit, padron të Zografit Bis dhe presidentit të Serbomadhisë, Aleksandër Vuçiqin për të cilin thotë se ka bërë provokim të ulët dhe luftënxitës.
Berisha iu ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë ta shpallin person non-grata Vuçiqin dhe ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që ta dënojë provokimin armiqësor të tij.
“Denoj me ashpersine me te madhe vendosjen e flamurit te Serbisë mbi harten e Kosoves nga bastardi i Sheshelit dhe Geblesi i Millosheviçit, krimineli i luftes dhe padronit te Zografit Bis, Presidentit te Serbomadhise Vuçiç si një provokacion te ulet dhe luftenxites. Ju bej thirrje autoriteteve te Kosoves te deklarojnë përgjithmonë non grata ketë ultranacionalist te verbër serb. I bej thirrje komunitetit ndërkombëtar te dënoj ketë provokim armiqësor dhe luftënxitës te Serbomadhit Vuçuç.”, ka shkruar Berisha.
Për fotografinë e postuar nga Vuçiq kanë reaguar edhe shumë figura të njohura nga skena, arti e kultura, nga shoqëria civile në Kosovë dhe jashtë saj.
“Serbia nuk është e dobët sot, nuk kërcënon, por nuk harron dhe nuk do të lejojë që 17 Mars të ndodhë përsëri. Ne kemi kujtuar dhe mësuar çdo herë ku ne ishim humbës, në çdo ngjarje kur ne ishim memec ndaj viktimave tona, të cilat ishim gati të harrojmë. Ne e dinim se çfarë po ndodhte dhe ne e quajmë emrin e saj të vërtetë – pogrom.”, kishte shkruar Vuçiq poshtë fotografisë. /Lajmi.net/