Rasti i ish-krerëve të UÇK-së: Pas vdekjes së një viktime, dy të afërm të tij vazhdojnë procedurën
Në rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit me të akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, një viktimë pjesëmarrëse ka ndërruar jetë. Kjo viktimë ishte pranuar në këto procedura me 12 dhjetor 2022, ndërsa për vdekjen e saj, trupi gjykues u njoftua nga mbrojtësi i viktimave me 4 mars…
Lajme
Në rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit me të akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, një viktimë pjesëmarrëse ka ndërruar jetë.
Kjo viktimë ishte pranuar në këto procedura me 12 dhjetor 2022, ndërsa për vdekjen e saj, trupi gjykues u njoftua nga mbrojtësi i viktimave me 4 mars 2026.
Rrjedhimisht, mbrojtësi i viktimave ka kërkuar nga trupi gjykues që dy të afërm të kësaj viktime të marrin pjesë në procedurat që i ka nisur viktima e cila ka ndërruar jetë.
Vec kësaj, vlen të theksohet se kjo viktimë e kishte statusin e dyfishtë edhe si dëshmitar.
Ndërsa, për të afërmit që do ë vazhdojnë procedurat, u mor vendim që emri i tyre mos të bëhet i ditur as për palët dhe as për publikun.
“MIRATON Kërkesën dhe lejon që Të Afërmit të vazhdojnë veprimin e V072/06 si viktima pjesëmarrëse në këtë procedurë; b) URDHËRON që masat mbrojtëse të anonimitetit t’u jepen Të Afërmve për qëllimet e pjesëmarrjes së tyre si viktima në procedurë; c) URDHËRON që emrat dhe të dhënat identifikuese të Të Afërmve të mbahen të fshehta nga Palët dhe publiku; dhe d) URDHËRON që: (i) pseudonimi V072A/06 t’i caktohet [REDACTED] të V072/06; dhe (ii) pseudonimi V072B/06 t’i caktohet [REDACTED] të V072/06 për qëllimet e kësaj procedure”, thuhet në vendim.
Përveç kësaj, në vendim thuhet se kjo viktimë kishte vdekur para se trupi gjykues ta mbyllte çështjen në këtë rast gjyqësor.
Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.
Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.
Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.
Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi