Rasti i çatisë së komunës së Prishtinës ku u lëndua një vajzë, Apeli ua ul dënimin dy të dënuarve
Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ua ulur dënimin dy të akuzuarve lidhur me rastin e shembjes së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku për pasojë ishte lënduar një qytetare. Me këtë vendim, i akuzuari Ylber Jashari u dënua me 2…
Lajme
Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ua ulur dënimin dy të akuzuarve lidhur me rastin e shembjes së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku për pasojë ishte lënduar një qytetare. Me këtë vendim, i akuzuari Ylber Jashari u dënua me 2 vjet burgim, ndërkaq dënimi me gjobë prej 5 mijë euro mbeti i pandryshuar. Ndërkaq, ndaj Bekim Baftijarajt u shqiptua dënim me 1 vit burgim.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 shkurt 2025, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Ylber Jasharit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj Bekim Baftijarajt i akuzuar për punime ndërtimore të kundërligjshme. Jashari ishte dënuar me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse Baftijaraj me 2 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Jashari, avokati Sevdali Zejnullahu, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, si dhe vendimit mbi sanksionin penal. Ai ka propozuar që Apeli ta ndryshojë vendimin e shkallës së parë sa i përket dënimit ose ta kthejë rastin në rigjykim.
Kurse, mbrojtësja e Batijarajt, avokatja Besijana Ismajli kishte parashtruar ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozim që Apeli ta anulojë aktgjykimin e Themelores dhe rastin ta kthejë në rigjykim, ose që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me gjobë sipas marrëveshjes për pranim fajësie deri në 4 mijë e 500 euro ose dënim me kusht.
Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtjes, kurse aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Përmes vendimit të marrë më 17 nëntor 2025, Apeli konstaton se pretendimet e mbrojtjes së Jasharit për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nuk qëndrojnë, të cilat do të kushtëzonin anulimin e vendimit të shkallës së parë.
Të paqëndrueshëm, Apeli e vlerëson edhe pretendimin se i akuzuari Jashari nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit te fajësisë, ngase mbrojtësi i tij kishte deklaruar se kjo marrëveshje është në përputhje me dispozitat ligjore dhe është arritur pas konsultimit me të akuzuarin. E që, edhe vetë Jashari e kishte mbështetur deklarimin e avokatit.
Gjithashtu, shkalla e dytë thekson se nuk ka kufizim apo ndalesë që gjykata të shqiptojë dënim jashtë atij të propozuar me marrëveshje për pranim fajësie, në rastet kur vlerëson se me dënimin e propozuar me marrëveshje nuk do të arrihet qëllimi i përgjithshëm i dënimit, por në këtë rast pala vetëm e fiton të drejtën e paraqitjes së ankesës së këtij vendimi. Andaj, edhe për këtë pjesë, Apeli gjen se pretendimet e mbrojtjes janë të pabazuara.
Për Apelin, nuk është e pranueshme që për të akuzuarin Ylber Jashari si rrethanë rënduese të vlerësohet se me rastin e kryerjes së veprës penale ka keqpërdorur pozitën zyrtare, e që si pasojë e këtyre veprimeve i është shkaktuar dëmi substancial buxhetit të shtetit.
“…pasi që keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare është element konstituiv i figurës se vëprës penale, dëmin në rastin konkret ligjvënësi e ka paraparë si rrethanë kualifikuese të veprës penale, ndërsa rrethanat tjera të konstatuara në aktgjykimin e gjykatës se shkallës së parë i pranon edhe kjo gjykatë si të drejta dhe të ligjshme pasi që gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit (përveç rrethanave te cekura me larte me te cilat nuk pajtohet kolegji penal i Gjykatës se Apelit)”, thuhet në vendim.
Sipas kolegjit të Apelit, shkalla e parë drejt i ka konstatuar rrethanat lehtësuese të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, por sipas kësaj Gjykate, Themelorja nuk ua ka kushtuar rëndësinë e duhur këtyre rrethanave lehtësuese, sikurse është marrëveshja për pranim fajësie dhe fakti se të akuzuarit për herë të parë kanë kryer vepër penale.
“…pastaj duke vlerësuar edhe rrethanat tjera lehtësuese te paraqitura ne ankesat e mbrojtësve te akuzuarve, për te akuzuarin Ylber Jashari, si rrethanat personale, se i njëjti është i martuar, është baba i tre fëmijëve të mitur, se është i vetmi mbajtës i familjes, andaj mbi këtë baze Gjykata e Apelit ne aplikim te dispozitës se nenit 71 par.1 nenpar. 1.3 te KPP-se, te akuzuarit Ylber Jashari , kjo gjykate i ka shqiptuar dënimin me burgim nen minimumin e parapare te dënimit për këtë vepër penale”, thuhet në vendim.
Në anën tjetër, për të akuzuarin Baftijaraj thuhet se ka bashkëpunuar me Prokurorinë gjatë marrëveshjes për pranimin e fajësisë, bashkëpunimi i tij ka qenë vullnetar në hetim dhe ndjekje penale, ka pasur sjellje të mira korrekte para Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës, andaj, këto rrethana sipas vlerësimit të kolegjit të Apelit, japin bazë të mjaftueshme për arsyetimin e shqiptimit të dënimit si në dispozitiv të aktgjykimit nga kjo gjykatë.
Andaj, Apeli vlerëson se dënimet e shqiptuara nga kjo Gjykatë për dy të akuzuarit, janë në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprave të kryera penale, shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarve dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me këto dënime do të mund të parandalohen të akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale.
Po ashtu, Apeli vlerëson se me një dënim të tillë do të arrihet qëllim i dënimit, se të pandehurit në të ardhmen do të përmbahet nga veprimet e paligjshme dhe do të bëhet rehabilitimi i tyre, pasi që njëra nga qëllimet e dënimit është të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, në parandalimin e personave të tjerë në kryerjen e veprave penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.
Të akuzuarit Bafijaraj, në dënimin e shqiptuar i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e arrestit shtëpiak.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 janar 2025, Ylber Jashari akuzohej se nga 11 gushti 2023 deri më 18 janar 2024 në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e menaxherit të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, në vlerë totale prej 386 mijë e 96 euro e 20 centë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i kalon kompetencat e tij, duke i mundësuar të përfitojë kundërligjshëm materialisht kompanisë “NBT ING” Sh.p.k dhe duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në shumë 36 mijë e 450 euro e 29 centë.
Me këtë, akuzohej për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par 2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Kurse, Bekim Baftijaraj akuzohej se më 11 gusht 2023 e deri më 18 janar 2024, në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e përgjegjësit të kompanisë “NBT ING” Sh.p.k., i cili ishte i ngarkuar me kryerjen e punimeve, të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, veproi në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Baftijaraj me rastin e punimeve “Rikonstruimi i kulmit te objektit të Komunës se re”, veproi në kundërshtim me standardet profesionale dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratën për sanimin e kulmit të ndërtesës, ku gjatë ekzekutimit të kësaj kontrate ka kryer punë të tjera e jo ato sikur pozicionet 2.2, 2.3, 5.1, 5.13 dhe 5.15 të kontratës se lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës nja pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës se re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth duke lënduar rëndë të dëmtuarën E.U., si dhe janë shkaktuar dëme materiale në katër vetura të parkuara përreth.
Me këtë, Baftijaraj ngarkohej se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” na neni 356, par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal