Rasti “Banjska” – Sot mbahet seanca e radhës në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të zhvillohet seanca e radhës lidhur me rastin e njohur si “Banjska”, ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. Këta tre persona janë pjesë e grupit prej 45 të akuzuarish për sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, sulm i udhëhequr nga Milan Radojiçiq,…

Lajme

18/07/2025 08:08

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të zhvillohet seanca e radhës lidhur me rastin e njohur si “Banjska”, ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Këta tre persona janë pjesë e grupit prej 45 të akuzuarish për sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, sulm i udhëhequr nga Milan Radojiçiq, i cili e ka pranuar publikisht rolin e tij. Në këtë ngjarje tragjike u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, transmeton lajmi.net

Spasojeviq, Toliq dhe Maksimoviq po gjykohen në Kosovë, ndërsa 42 të akuzuarit e tjerë, përfshirë edhe Radojiçiqin, ndodhen ende në arrati.

Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër të gjithë 45 të dyshuarve, duke i ngarkuar ata me veprat penale të terrorizmit, financimit të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda.

Autoritetet kosovare kanë kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Milan Radojiçiqit dhe të tjerëve të përfshirë, por deri më tani kjo kërkesë nuk është përmbushur.

Seancat e ardhshme për këtë rast janë caktuar të mbahen më 18, 21, 22 dhe 24 korrik./lajmi.net/