Rasti “Banjska”, nesër mbahet seanca e radhës gjyqësore
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot do të zhvillohet seanca e radhës gjyqësore lidhur me rastin “Banjska”, një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në veri të vendit. Seanca mbahet ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët janë pjesë e listës prej 45 personash të akuzuar për sulmin terrorist…

Lajme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot do të zhvillohet seanca e radhës gjyqësore lidhur me rastin “Banjska”, një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në veri të vendit.
Seanca mbahet ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët janë pjesë e listës prej 45 personash të akuzuar për sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, transmeton lajmi.net
Ndërsa këta tre të akuzuar po përballen me drejtësinë në Kosovë, pjesa tjetër – 42 persona përfshirë edhe Milan Radojiçiqin, i cili publikisht ka pranuar se ka udhëhequr sulmin – ndodhen në arrati. Radojiçiq dhe grupi i tij akuzohen për kryerje të veprave terroriste, financim të terrorizmit, si dhe vepra të tjera të rënda penale.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti zyrtarisht aktakuzën ndaj 45 personave, përfshirë Radojiçiqin, i cili konsiderohet si përgjegjësi kryesor i grupit të armatosur që kreu sulmin.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e Milan Radojiçiqit dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit terrorist nga Serbia, por deri më tani nuk ka pasur përgjigje pozitive nga ana e shtetit serb. Radojiçiq dhe të tjerët ndodhen në listën e të kërkuarve të INTERPOL-it, ndërkohë që presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë për t’i dorëzuar ata drejtësisë kosovare vazhdon./lajmi.net/