Rastet kur mund të shkarkohet një gjyqtar i Kushtetueses dhe roli i Presidentit

Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas deklaratave të djeshme të presidentes Osmani për gjyqtarin Radomir Llaban. Kushtetuesja ka thënë se Llaban është i punësuar në këtë institucion që nga viti 2011 dhe se nga 9 gushti i vitit 2018 ushtron detyrën e gjyqtarit pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore. Tutje thuhet se…

Lajme

06/08/2025 17:09

Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas deklaratave të djeshme të presidentes Osmani për gjyqtarin Radomir Llaban.

Kushtetuesja ka thënë se Llaban është i punësuar në këtë institucion që nga viti 2011 dhe se nga 9 gushti i vitit 2018 ushtron detyrën e gjyqtarit pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore.

Tutje thuhet se procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë “të përcaktuara qartë” në Kushtetutë.

Çka thotë Kushtetuta?

Në nenin 118 për Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuta thotë se gjyqtarët mund të shkarkohen nga presidenti me propozim të 2/3 të gjyqtarëve të Kushtetuees “vetëm” për kryerjen e krimeve të rënda ose mospërfillje të rëndë të detyrave.

“Neni 118 [Shkarkimi]- Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës me propozimin e dy të tretave (2/3) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.”

Llaban i kanë mbetur edhe dy vjet nga përfundimi i mandatit

Radomir Llaban funksionin e gjyqtarit të Kushtetueses e ushtron nga 9 gushti i vitit 2018.

Kushtetuesja thotë se gjyqtarët emërohen nga presidenti me propozim të kuvendit, për një mandat 9 vjeçar, pa mundësi vazhdimi.

“Gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit, për një mandat nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi”, thotë Kushtetuta.

Kësisoj, Llaban do të jetë gjyqtar deri në vitin 2027.

Osmani tërhoqi kërkesën në Kushtetuese, shkak Llaban:

Presidentja Vjosa Osmani dje ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën e bërë në Gjykatën Kushtetuese për t’i sqaruar pasojat e moskonstituimit të Kuvnedit brenda afatit 30-ditor.

Ajo tha në një konferencë për media se e tërhoqi kërkesën e dorëzuar më 22 korrik për shkak të Radomir Llaban, i cili tha se është caktuar “si gjyqtar raportues” në kërkesën e saj. Ai, siç tha Osmani, paraqet “rrezik për sigurinë kombëtare”.

“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare. Sipas këtyre informatave të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Osmani tha se “është thellësisht shqetësuese se si një gjyqtar për të cilin institucionet e sigurisë zyrtarisht kanë dorëzuar informata se e rrezikon shtetin, t’i lihet në dorë ta përcaktojë fatin e rendit tonë kushtetues”.