Rasim Demiri akuzon Duda Baljen: Interesat personale mbi interesat e bashkësisë boshnjake

Kryetari i Partisë Demokratike të Boshnjakëve dhe i Koalicionit Vakat, Rasim Demiri, ka reaguar ashpër ndaj deputetes Duda Balje, duke e akuzuar atë se ka vendosur interesat e saj personale mbi ato të bashkësisë boshnjake dhe mbi procesin e formimit të komunës së ardhshme Reçanë. Në një deklaratë për media, Demiri tha se Balje “ka…

Lajme

27/10/2025 21:32

Kryetari i Partisë Demokratike të Boshnjakëve dhe i Koalicionit Vakat, Rasim Demiri, ka reaguar ashpër ndaj deputetes Duda Balje, duke e akuzuar atë se ka vendosur interesat e saj personale mbi ato të bashkësisë boshnjake dhe mbi procesin e formimit të komunës së ardhshme Reçanë.

Në një deklaratë për media, Demiri tha se Balje “ka treguar fytyrën e saj të vërtetë” pasi ka refuzuar të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku pritej votimi i Qeverisë Kurti 3, dy ditë pasi ai ishte propozuar për ministër të Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Deri të premten, Duda Balje deklaronte se askush nuk e kishte kontaktuar për formimin e qeverisë. Por, sapo u njoftua se unë isha propozuar për ministër, ajo as nuk u paraqit në seancë,” – tha Demiri, duke shtuar se “problemi nuk është Albin Kurti, problemi është Rasim Demiri”.

Sipas tij, Balje nuk e ka bojkotuar seancën për shkak të kërkesave rreth komunës Reçanë, por ekskluzivisht për shkak të emërimit të tij në postin ministror.

Demiri theksoi se për herë të parë bashkësia boshnjake kishte mundësinë konkrete për të nisur procedurën ligjore për formimin e komunës Reçanë, dhe se bojkoti i Baljes ishte një përpjekje për ta penguar këtë proces.

“Asnjëherë Duda Balje nuk ka dorëzuar kërkesë konkrete për komunën Reçanë, as nuk e ka përmendur këtë çështje në Kuvend. Ajo bazohet në deklarata populiste dhe përçarje brenda komunitetit boshnjak,” – tha ai.

Demiri mohoi pretendimet e Baljes se kryeministri Kurti është kundër formimit të komunave të reja, duke theksuar se “asnjë nga kryeministrat e mëparshëm nuk ka qenë kundër Reçanës” dhe se “as komuniteti shqiptar nuk ka pasur kundërshtime për këtë çështje”.

Në deklaratë, ai kujtoi edhe rezultatet zgjedhore të Duda Baljes në Zhupë, duke i quajtur ato dëshmi të mungesës së mbështetjes nga qytetarët.

“Kjo nuk është luftë për komunën Reçanë, por përpjekje e dëshpëruar për mbijetesë politike,” – theksoi Demiri.

Në fund, ai shtoi se nuk bëhet fjalë për individë, por për të ardhmen e bashkësisë boshnjake dhe mundësinë për fillimin e një procesi institucional për komunën Reçanë.

“Duda Balje e përdor bashkësinë boshnjake si mbulesë politike. Me mospjesëmarrjen e saj, ajo dërgoi mesazhin se për të, karrigia është më e rëndësishme se interesi i bashkësisë,” – përfundoi Demiri. /Lajmi.net/