Rashiti: VV dhe LDK kanë thyer shtizat, është normale

23:16 | 3 Dhjetor 2019

Naim Rashiti nga Klubi për Hulumtime të Politikave në Ballkan, ka thënë se shihet se mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, ka një kacafytje të agjendave.

“Këto gabime i kanë bërë koalicionet 2014-2017 dhe ka mundësi që LDK dhe VV t’i bëjnë këto gabime. Apetiti për të marrë gjithçka që është e mundur nga pushteti e ka bërë këtë. Zgjedhjet ishin për Kuvend dhe Qeveri dhe jo për institucione tjera, veçanërisht për Presidentin. Duhet që negociatat të mos bëhen për pozicionimin e liderëve dhe individëve”, ka thënë Rashiti, njofton Klan Kosova.

“Prapë po bëhen negociata për t’u akomoduar liderët. LDK dhe VV do ta dërmojnë imazhin e vet në procesin e negociatave. Mbetet të shohim se a po zgjat procesi. Këtë të hënë presidenti është dashur të dekretojë seancën e parë konstituive. Sidomos VV ka akuzuar format e formimit të Qeverisë dhe ndarjes së pushteteve dhe duhet të jetë e kujdesshme që të mos i bëjë gabimet e njëjta”.

Rashiti në Zona B ka thënë se VV dhe LDK kanë krijuar pritshmëri te qytetarët.

“Në diskursin e tyre para dhe pas zgjedhjeve kanë krijuar një pritje jorealiste për krijimin e institucioneve, ku negociatat për ndarje të pushtet është më e vështirë se ajo programore. Kanë thyer shtizat, është normale, por është prit keq te publiku për shkak të pritjeve që i kanë krijuar më herët”.

“E kanë limituar veten në 12 ministri. Imazhi i qeverisë do të varet nga procesi i formimit të saj. VV-së mbetet të mësohet me këtë praktikë të negociatave dhe subjekteve tjera u përket ta ndryshojnë këtë kulturë”.