Rashiq: Mbi 20 persona mund të jenë larguar nga puna në Graçanicë për shkak të bindjeve politike

Nenad Rashiq, politikan serb, partia e të cilin po merr pjesë në zgjedhjet parlamentare me 7 qershor ka deklaruar se qëllimi i partisë së tij është të sigurojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, por sipas tij, presioni ndaj serbëve që mendojnë ndryshe është shumë i madh. Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Rashiq tha se çdo…

Lajme

03/06/2026 14:05

Nenad Rashiq, politikan serb, partia e të cilin po merr pjesë në zgjedhjet parlamentare me 7 qershor ka deklaruar se qëllimi i partisë së tij është të sigurojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, por sipas tij, presioni ndaj serbëve që mendojnë ndryshe është shumë i madh.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Rashiq tha se çdo veprim politik i subjektit që ai drejton, sidomos gjatë periudhës zgjedhore, ka për synim pjesëmarrjen në legjislativin e Kosovës.

“Qëllimi është që të jemi pjesë e Parlamentit, sepse aty është caku kryesor për shumë arsye”, tha Rashiq në “Përballje Podcast” në Telegrafi, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.

Ai deklaroi se shumë serbë në Kosovë mendojnë njësoj si ai, por nuk e thonë publikisht për shkak të presionit dhe frikës nga pasojat.

“Besoni që shumë njerëz mendojnë sikur unë. Ju garantoj se shumica e serbëve mendojnë të njëjtën, por nuk e thonë publikisht”, deklaroi Rashiq.

Sipas tij, metodat e represionit janë të ashpra dhe të fuqishme, duke bërë që qytetarët serbë të mos ndihen të lirë të shprehin qëndrimet e tyre politike.

“Metodat e represionit janë kaq të vrazhda, kaq të fuqishme, sa definitivisht nuk mund t’i ikësh atij rrethi të veprimeve të ndërlidhura”, tha ai.

Rashiq shtoi se presioni shtohet veçanërisht gjatë zgjedhjeve, kur sipas tij, aktivizohet një mekanizëm i tërë për ta penguar përfaqësimin e partisë së tij në Kuvendin e Kosovës.

“Paramendoni, të gjitha institucionet në Serbi janë të angazhuara që Rashiqi të mos fitojë një deputet”, tha ai.

Ai theksoi se, pavarësisht presioneve, partia e tij do të vazhdojë të kërkojë përfaqësim politik brenda institucioneve të Kosovës, duke e paraqitur këtë si alternativë ndaj Listës Serbe.