Raportuesi i BE-së dënon ashpër ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë: Akt armiqësor ndaj sovranitetit

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, përmes një reagimi të premten ka dënuar manipulimin dhe ndërhyrjen e shtetit të Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë që do të mbahen të dielën. Përpara zgjedhjeve lokale të së dielës në Kosovë, ndikimi dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Serbisë janë bërë sërish të dukshme, ka deklaruar…

Lajme

10/10/2025 20:01

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, përmes një reagimi të premten ka dënuar manipulimin dhe ndërhyrjen e shtetit të Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë që do të mbahen të dielën.

Përpara zgjedhjeve lokale të së dielës në Kosovë, ndikimi dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Serbisë janë bërë sërish të dukshme, ka deklaruar Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras.

Në një reagim të publikuar sot, Terras ka dënuar ashpër “manipulimin parazgjedhor dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Kosovës nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq”.

Ai ka theksuar se veprimet e Serbisë synojnë drejtpërdrejt tensionimin e situatës tashmë të ndjeshme në Kosovë dhe përbëjnë një akt armiqësor ndaj sovranitetit të vendit.

Sipas raportit të Parlamentit Evropian, zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë shprehur publikisht mbështetje për një parti të caktuar politike të serbëve të Kosovës, kanë shpallur programe të reja të ndihmës sociale dhe vende të përkohshme pune në institucionet e kontrolluara nga Beogradi në Kosovë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve.

Terras ka rikujtuar se shqetësime të ngjashme për ndërhyrjen e Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë ishin ngritur edhe nga ish-shefjja e Misionit Vëzhgues të BE-së, Nathalie Loiseau, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit.

“U bëj thirrje autoriteteve të Serbisë që të ndalojnë menjëherë çdo ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë dhe të lejojnë qytetarët e saj të zgjedhin në mënyrë demokratike përfaqësuesit lokalë”, ka përfunduar Terras.

Riho Terras është ish-ushtarak nga Estonia, i cili ka qenë deputet edhe në përbërjen paraprake të Parlamentit Evropian./Lajmi.net/