Raportohet se U.D. i drejtorit të RTK-së deklaroi rrejshëm pasurinë, fshehu të ardhurat mujore nga një biznes privat

U.D. i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, po del se ka bërë deklarim të rrejshëm të pasurisë. Në formularin e dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, datën e emërimit e ka deklaruar dy muaj më vonë sesa kur është emëruar nga Bordi. Ndërkohë që gazeta online Reporteri.net ka zbuluar se deri një…

Lajme

07/01/2026 09:44

U.D. i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, po del se ka bërë deklarim të rrejshëm të pasurisë. Në formularin e dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, datën e emërimit e ka deklaruar dy muaj më vonë sesa kur është emëruar nga Bordi.

Ndërkohë që gazeta online Reporteri.net ka zbuluar se deri një muaj pasi e mori pozitën, Hundozi përveç pagës mujore nga transmetuesi publik, ka pasur të hyra të rregullta edhe nga një biznes privat e të cilat nuk i ka deklaruar fare. Ai nuk ka deklaruar as se është edhe drejtor menaxhues në kompaninë ku ka 20% pronësi.

Hysen Hundozi u emërua si ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së më 31.10.2024.

Emërimi i tij ngriti shumë dilema rreth ligjshmërisë, pasi që bordi i mbetur i RTK-së e kishte ndryshuar Statutin dhe një rregullore për ta emëruar Hundozin si u.d. drejtor me gjashtë vota për. Në këtë mënyrë i është “ikur” obligimit ligjor që del nga Ligji i RTK-së që drejtori i përgjithshëm emërohet me 2/3 e votave për, që do të thotë se duhen tetë vota për. Kjo edhe për faktin se sipas statutit të RTK-së, u.d. të drejtorit i jepen të gjitha kompetencat që i ka drejtori i përgjithshëm.

Ky ndryshim i dyshimtë është bërë nga bordi i RTK-së, pasi që Hundozi si propozim nuk kishte marrë votat e mjaftueshme në mbledhjen paraprake të bordit. Fakti që ai nuk po i merrte tetë vota për, nga nëntë anëtarët aktiv (tre të dorëhequr), u “mundësua” që ai të emërohet me gjashtë vota.

Deklarimi i rrejshëm i pasurisë dhe konflikti i interesit
Përtej kësaj, Hundozi po dyshohet se ka bërë deklarim të rrejshëm në regjistrin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Gazeta Online Reporteri ka hulumtuar lidhur me këtë çështje, dhe sipas gjetjeve brenda ATK-së, Hundozi deri në nëntor të vitit 2024 ka pasur të hyra të rregullta mujore edhe nga një kompani private. Por, këto të hyra nuk i ka deklaruar fare në formularin e dorëzuar vjet në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Veç tjera, në dokumentin e dorëzuar në APK më 27.02.2025, Hundozi e ka deklaruar 31 dhjetorin 2024 si datë të emërimit në krye të RTK-së, e jo 31 tetorin 2024, ditën kur është emëruar nga Bordi.

Deklarimi i rremë i pasurisë sipas Kodit Penal të Kosovës është vepër penale.

Tutje, në deklarimin e tij të pasurisë, Hundozi e ka cekur se është bashkëpronar i kompanisë “Dendron Alliance” me 20% të aksioneve, ndonëse nuk paraqiti të ardhura nga ky biznes.

Megjithatë, nuk e deklaroi se në të njëjtën kompani private është edhe drejtor menaxhues, siç figuron në regjistrin në ARBK.

Biznesi në fjalë, i themeluar në vitin 2020, ka edhe aktivitete që ndërlidhën me fushën e mediave si: Marrëdhëniet me publikun dhe aktivitetet e komunikimit; Riprodhimi i mediave të incizuara etj.. Aktivitete këto që e rrisin edhe mundësinë për konflikt të interesit, duke marrë parasysh pozitën e tij në RTK.

Lidhur me këtë çështje gazeta online Reporteri.net qysh më 10 dhjetor 2025 i ka dërguar pyetje Hundozit, por edhe pas pritjes për gati një muaj, ai nuk është përgjigjur.

APK: U.D. i drejtorit duhet ta deklarojë datën e emërimit, i ndalohet roli menaxhues në biznese private
Reporteri.net ka dërguar pyetje në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit se si veprohet kur një zyrtar publik nuk deklaron saktë datën e emërimit, ose e deklaron rrejshëm si dhe ka pyetur nëse në rastet kur i njëjti është drejtor menaxhues në një biznes, a paraqet konflikt interesi.

Nga kjo agjenci kanë thënë se në formularin e deklarimit duhet të pasqyrohet data e emërimit në pozitën ushtruese të detyrës, si dhe përshkrimi i funksionit me shënimin “Ushtrues i Detyrës (U.D.)”, me qëllim të reflektimit të saktë të statusit të zyrtarit.

“Lidhur me një rast të tillë të mundshëm siç keni potencuar ju, Agjencia sqaron se çdo subjekt deklarues është i obliguar të deklarojë gjendjen aktuale të pasurisë dhe të hyrat e realizuara, në përputhje me afatet dhe kriteret ligjore të përcaktuara në ligje”, thuhet ndër të tjera në përgjigjën e Agjencisë.

Pra, edhe Agjencia konfirmon se Hundozi në formularin në APK do të duhej ta deklaronte datën e emërimit.

Tutje, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thotë se në kuadër të kompetencave të saj, verifikon datën zyrtare të emërimit në funksionin publik, afatin kohor të deklarimit dhe saktësinë e të dhënave të deklaruara, duke kërkuar informacione shtesë nga institucionet kompetente.

“Nëse nga shqyrtimi konstatohet se deklarimi nuk është bërë në përputhje me obligimet ligjore ose se ka pasaktësi në deklarim, Agjencia ndërmerr veprimet përkatëse ligjore, sipas procedurave të parashikuara”, thuhet në përgjigje.

Sa i përket ushtrimit paralel të funksionit publik dhe atij privat, Agjencia rithekson se zyrtari i lartë publik, përfshirë edhe Ushtruesin e Detyrës, mund të ketë pronësi në një ndërmarrje private, “mirëpo gjatë kohës sa ushtron funksionin publik nuk i lejohet ushtrimi i funksionit menaxhues në biznes privat, në përputhje me Nenin 13, Paragrafi 1, të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”.

Në rastin konkret u.d. drejtori Hundozi është drejtor menaxhues në biznesin privat, pozitë të cilën nuk e ka deklaruar fare. Siç e thekson edhe Agjencia në përgjigje, mbajtja e dy pozitave të tilla është e ndaluar me ligj, pasi në këtë rast kemi të bëjmë me dyshime për konflikt interesi dhe me deklarim të rremë të pasurisë.

Në rastet kur identifikohet dyshimi për ushtrim të funksioneve në papajtueshmëri me këtë ligj, Agjencia inicion procedurën administrative për shqyrtimin e konfliktit të interesit, në pajtim me Nenin 22 të ligjit në fjalë.

“Edhe duke qenë U.D. zyrtari i lartë, ka të drejtën e pronësisë në ndërmarrje (biznes) privat, por përderisa ushtron funksionin e zyrtarit të lartë, ai nuk ka të drejten e ushtimit të funksionit menaxhues në biznes privat (neni 13 paragrafi 1, i Ligjit për PKI)”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Tre mandate të dyshimta si U.D. i kreut të RTK-së
Sipas statutit të RTK-së, mandati i u.d drejtorit të përgjithshëm i RTK-së mund të jetë më së shumti gjashtë muaj. Personi i njëjtë nuk mund të emërohet dy herë si u.d..

Mandati i parë i dyshimtë i Hundozit që është marrë me vetëm gjashtë vota, ka skaduar me 30 prill 2025. Në ueb faqe të RTK-së nuk ka një vendim të ri të bordit për vazhdimin mandatit të tij, pasi që kjo do të ishte në kundërshtim edhe me statutin e RTK-së, përkatësisht nenin 19.

Megjithatë, siç merr vesh Reporteri.net, ky “vazhdim” i dytë mandatit nuk është bërë përmes ndonjë vendimi, por vetëm me një dakordim joformal mes katër anëtarëve të bordit të transmetuesit publik. Por, edhe pse gjashtë muajshi i dytë është konsumuar, Hundozi vazhdon ende të ushtrojë pozitën e u.d. të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.