Raportohet se janë liruar dy eprorët e Policisë në Pejë, reagon avokati Berisha: Konfirmohet turpi
Dy zyrtarët e lartë të Policisë së Kosovës nga Peja, Nexhat Gutiq dhe Prekë Tuna, raportohet se janë liruar nga ndalimi pas 24 orësh qëndrimi në mbajtje. Ata u arrestuan me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, nën dyshimet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” lidhur me një rast penal ku është përmendur edhe emri i…

Lajme
Dy zyrtarët e lartë të Policisë së Kosovës nga Peja, Nexhat Gutiq dhe Prekë Tuna, raportohet se janë liruar nga ndalimi pas 24 orësh qëndrimi në mbajtje.
Ata u arrestuan me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, nën dyshimet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” lidhur me një rast penal ku është përmendur edhe emri i një afaristi të njohur.
“Pas punës intensive të Prokurorit të Shtetit dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, dy zyrtarë policorë, pas intervistimit si të dyshuar për kryerje të veprave penale, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar fillimisht për 48 orë”, tha prokurorja nga Krimet e Rënda nga Prokuroria Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj.
Sinjali raporton se, Prokuroria nuk ka kërkuar masë të paraburgimit, duke i hapur rrugë hetimeve në procedurë të rregullt.
Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre.
Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për këtë rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje “për prishje të rendit dhe qetësisë publike”.
Avokati Besnik Berisha tha se me këtë “konfirmohet turpi” duke theksuar se Prokuroria u dorëzua para ligjit.
“Nuk kërkohet paraburgim sepse nuk ka as dyshim e as krim. Nuk ka rrezik ikjeje, as asgjësimi të provave. Ka vetëm një kërkesë: të mos i afrohen vendit apo personit të caktuar. Po atëherë pse u ndaluan për 48 orë? Pse iu mohua pjesëmarrja në të pamën e babait një eprori të lartë policor? Pse iu mohua ndihma nënës së tij, të lodhur nga dhimbja dhe me infuzione? Përse gjithë ky abuzim me lirinë e një njeriu, në emër të drejtësisë, kur edhe vetë Prokuroria e pranon në fund se nuk ka asnjë shkak ligjor për masën më të rëndë?”, shkruan ai.
Sipas tij, “ky nuk është veprim ligjor por është akt arbitrat”, duke bërë thirrje për shkarkim e jo me heshtje.
“Është përndjekje e pastër dhe shfrytëzim i diskrecionit për egërsi personale apo protagonizëm profesional. Po të kishte drejtësi funksionale, ky rast do shoqërohej me shkarkim, jo me heshtje, sepse liria është e shenjtë. Me lirinë e tjetrit nuk luhet, veçanërisht kur ajo cenohet në ditët më të dhimbshme të jetës. Përgjegjësi!”, thotë ai më tej.