Raportohet se hetuesit zbarkojnë në tri stacione: Së shpejti nis intervistimi masiv për manipulimin e votave në Prizren

Së shpejti pritet të zhvillohet një aksion i rëndësishëm hetimor në Prizren, ku dhjetëra komisionerë dhe persona të përfshirë në procesin e votimit do të merren në pyetje, në cilësinë e të dyshuarve, lidhur me dyshimet për manipulim dhe transferim të votave gjatë procesit zgjedhor. Burimet e Sinajlit, bëjnë të ditur se në këtë aksion…

Lajme

23/01/2026 08:52

Së shpejti pritet të zhvillohet një aksion i rëndësishëm hetimor në Prizren, ku dhjetëra komisionerë dhe persona të përfshirë në procesin e votimit do të merren në pyetje, në cilësinë e të dyshuarve, lidhur me dyshimet për manipulim dhe transferim të votave gjatë procesit zgjedhor.

Burimet e Sinajlit, bëjnë të ditur se në këtë aksion janë angazhuar dhjetëra hetues nga Krimet Ekonomike, DKKO dhe hetues të stacioneve policore, të cilët sot do të përballen direkt me të dyshuarit, në kuadër të hetimeve që janë hapur pas dyshimeve se mijëra vota janë transferuar nga një kandidat për deputet tek një tjetër, duke ngritur alarmin për një veprim të mundshëm të orkestruar.

Sipas informacioneve që ka siguruar ekskluzivisht Sinjali, intervistimet nisin që në ora 08:00, ndërsa zyrtarët policorë të angazhuar janë paraqitur më herët në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, ku po mbahet një brifing operacional, për ndarjen e roleve, caktimin e hetuesve për secilin rast dhe mënyrën e zhvillimit të intervistimit.

Mediumi mëson se pyetjet janë përgatitur paraprakisht për secilin të dyshuar, ndërsa hetuesit do të kërkojnë përgjigje të drejtpërdrejta dhe do të bëjnë ballafaqim me prova, përfshirë edhe prova elektronike dhe filmime, që sipas burimeve, dokumentojnë manipulimet.

Po ashtu, burimet bëjnë të ditur se disa nga të dyshuarit tashmë kanë angazhuar avokat, çka pritet ta bëjë procesin e intervistimit edhe më të ngarkuar, sidomos për shkak të natyrës së dyshimeve dhe ndikimit publik që ky rast ka shkaktuar në opinion.

Hetimet në këtë drejtim janë intensifikuar pasi ditë më parë u bë e ditur se Prokuroria Themelore në Prizren ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe materialeve nga organet kompetente, përfshirë listat e komisionerëve, vëzhguesve dhe personave të tjerë zyrtarë, si dhe materialet që lidhen me procesin e rinumërimit.

Sipas rezultateve preliminare te hetimit, ekziston dyshimi se një pjesë e manipulimeve janë kryer nga një numër i caktuar i komisionerëve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që disa prej tyre të kenë përfituar edhe financiarisht.

Rasti pritet të trajtohet në kuadër të veprave penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor, ndërsa zhvillimet e sotme pritet të jenë vendimtare për fazën e ardhshme të hetimit.