Raportohet se ambasadori i SHBA-së në Moskë jep dorëheqje
Jon Huntsman, do të japë dorëheqje nga pozita e ambasadorit amerikan në Moskë për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara, kanë raportuar mediat amerikane, duke cituar një letër të shkruar për presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Bota
Disa media në SHBA, kanë publikuar letrën në të cilën Hunsman ka thënë se do të largohet nga kjo pozitë më 3 tetor, çka mundëson “kohë të mjaftueshme për të gjetur një pasardhës”.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të konfirmuar dorëheqjen e tij.
Në letrën e tij, Huntsman, ish-ambasador në Kinë dhe kandidat i pasuksesshëm për president të SHBA-së, ka thënë në letër se “ne duhet të vazhdojmë të mbajmë Rusinë përgjegjëse”, për secilin veprim që kërcënon SHBA-në apo aleatët e saj.
Huntsman është nominuar nga presidenti Trump në këtë pozitë në korrik të vitit 2017 dhe është konfirmuar për këtë pozitë nga Senati në muajin pasues.
Emërimi i ambasadorit Huntsman në këtë pozitë ka ardhur në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve në mes të Uashingtonit dhe Moskës.
Trump ka dhënë shenja se dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me presidentin rus, Vladimir Putin, ndërkohë që agjencitë amerikane të inteligjencës kanë vërtetuar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, në të mirë të Trumpit.
Uashingtoni ka shtuar së fundmi sanksionet ndaj Moskës, duke përmendur përfshirjen e dyshimtë të Rusisë në helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal në Britani muaj më parë.
Moska në anën tjetër ka mohuar përfshirjen në këtë rast. /REL