Të Infektuar: 3508

Të Shëruar: 1902

Të Vdekur: 75

Raportimi për koronavirusin, dezinformatat dhe gjuha sensacionale

0:05 | 21 Mars 2020

Në thjerrëzat e gazetarit, çështjet më të rëndësishme janë tri, informimi i saktë i publikut për koronavirusin, shmangia e gjuhës dhe elementeve sensacionale, si dhe, kujdesi i shtuar në përdorimin e pamjeve për të mos ‘ushqyer’ panik te publiku.

Shkruan: Dren Gërguri

Koronavirusi është shqetësimi kryesor i shumë shteteve në ditët dhe javët e fundit. Në Kosovë tashmë janë konfirmuar mbi 20 raste me këtë virus, megjithatë shoqëria kosovare i ishte ekspozuar informacioneve të shumta dhe të ndryshme lidhur me këtë pandemi ende pa u shfaqur ndonjë rast në Kosovë. Si pasojë e mënyrës së raportimit të medieve, qytetarët kishin filluar të ndjejnë frikë, sidomos pas shfaqjes së koronavirusit në Shqipëri. Media nëpërmjet raportimit mund të vendos agjendën e debatit publik dhe, pas çështjes së tarifës dhe marrëdhënieve Kosovë-SHBA, tema tjetër më e diskutuar në publikun kosovar është koronavirusi. Profesori amerikan, Bernard Cohen thotë se media mund të mos jetë e suksesshme në atë se si duhet të mendojnë njerëzit, por është e suksesshme për t‘u treguar atyre për çfarë të mendojnë. Ndjeshmëria në raportimet për rastet që ndërlidhen me shëndetin, si çështja e koronavirusit, kërkon nga gazetarët të jenë shumëfish më të kujdesshëm kur raportojnë për tema të tilla. Media duhet të kryejë funksionin e informimit të shoqërisë, mirëpo këtë duhet ta bëjë duke e ndërgjegjësuar shoqërinë për një epidemi si kjo e koronavirusit dhe asnjëherë të mos mendojë të përfitojë nga situata për më shumë klikueshmëri apo shikueshmëri.

Pra, mediet mund t’u dalin në ndihmë institucioneve përgjegjëse duke shpërndarë informacionet e nevojshme dhe të mbështetura në rekomandime të ekspertëve të fushës, me qëllimin kryesor që të plotësohet nevoja e publikut për informim të drejtë, të qartë dhe të shpejtë. Nën thjerrëzat e gazetarit dhe të mediave, çështjet më të rëndësishme janë tri, informimi i saktë i publikut për koronavirusin, shmangia e gjuhës dhe elementeve sensacionale, si dhe, kujdesi i shtuar në përdorimin e pamjeve për të mos ‘ushqyer’ panik te publiku.

Qëkëndej, raportimi për koronavirusin sa është i nevojshëm, mund të jetë edhe i dobishëm, mirëpo gazetarët duhet të tregojnë shkallë të lartë profesionalizmi, duke shmangur publikimin e informacioneve jozyrtare, të pambështetura nga ekspertë të fushës, apo edhe të pamjeve të papërshtatshme që mund të ngjallin panik te publiku. Gazetari nuk duhet të përdorë tituj me fjalët ‘rrezik për jetën’, ‘katastrofë’, ‘vdekjeprurës’ etj., sepse devijon nga misioni i tij dhe faktikisht, një raport me elemente sensacionale ka të vetmin qëllim, rritjen e klikimeve/shikimeve. Titulli “Koronavirusi vdekjeprurës është më ngjitës dhe i rrezikshëm se sa pritej” është nga ata titujt që duhet të shmangen sepse mund të shkaktojnë frikë e panik te publiku. Të tjerë tituj të papërshtatshëm që u publikuan këto ditë nga mediet tona ishin “Shifra alarmante: Koronavirusi mbyt…”, “​Koronavirusi vret një tjetër person…”, “Koronavirusi/ Vaksina do vonojë, katastrofë nëse përhapet tek vendet e varfra”, etj. Gjithashtu, përdorimi i fotografive apo videove duhet të bëhet duke respektuar parimet profesionale dhe etike gazetareske për të qenë në shërbim të raportimit dhe jo të tërheq vëmendjen te diçka tjetër që mund të trazojë qetësinë e publikut. Ngarendja për të publikuar lajmin shpesh shtynë gazetarin të mos i jap rëndësinë e nevojshme përzgjedhjes së fotografisë apo pamjeve, ndërkohë që në raportimet për situatat të tilla, një detaj mund të mjaftojë për të shkaktuar panik në shoqëri.

Një tjetër gjë për të cilën mediet duhet të kenë kujdes është respektimi i privatësisë së individëve të prekur nga koronavirusi. Gazetarët nuk duhet të zbulojnë identitetin e atyre individëve, pavarësisht se ai lajm mund të tërheqë edhe më shumë klikime/shikime. Normat etike të gazetarisë e trajtojnë raportimin etik, karshi privatësisë apo interesit publik dhe përcaktojnë që për personat të cilët nuk janë figura publike, në raportim nuk duhet të zbulohet identiteti, por duhet të përdoren vetëm inicialet.

Sidoqoftë, në një kohë të mbushur me dezinformata, qytetarët duhet të jenë tejet të kujdesshëm se ku i marrin informacionet lidhur me koronavirusin, qoftë për rrezikshmërinë e virusit apo edhe për masat mbrojtëse. Që këndej, kjo temë ndërlidhet me edukimin medial, gjykimin ndaj përmbajtjeve mediale dhe mënyrën se si duhet të përdoren mediet.

(Autori është ligjërues në Departamentin e Gazetarisë/UP)