Raporti i Policisë: Liridon Leci dyshohet se kapi për fyti dhe goditi në fytyrë Edonisa Aliun
Liridon Leci dyshohet se e kapi për fyti dhe e goditi në fytyrë ish-futbollisten Edonisa Aliu, të dielën në mbrëmje pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv”, përshkruhet në një raport të Policisë së Kosovës të cilin e ka siguruar Paparaci. Incidenti ka ndodhur në objektin e RTV Dukagjinit në Shkabaj dhe i njëjti po hetohet…
Lajme
Liridon Leci dyshohet se e kapi për fyti dhe e goditi në fytyrë ish-futbollisten Edonisa Aliu, të dielën në mbrëmje pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv”, përshkruhet në një raport të Policisë së Kosovës të cilin e ka siguruar Paparaci.
Incidenti ka ndodhur në objektin e RTV Dukagjinit në Shkabaj dhe i njëjti po hetohet nga Stacioni Policor në Obiliq.
Raporti fillestar i policisë, të cilin e ka parë Paparaci, përshkruan rastin në detaje.
Sipas raportit, Aliu, e cila e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës, ishte ofenduar me fjalë fyese nga analisti Leci, “i cili e kishte kapur për fyti dhe e kishte goditur në fytyrë”.
Raporti përshkruan se të pranishëm në sulmin e dyshuar të Lecit ndaj Aliut kanë qenë stafi dhe mysafirët e emisionit, përfshirë moderatorin Ndrecë Gjonaj dhe analistin e futbollit Faruk Statovci.
Viktima e dyshuar ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Mjekësisë Familjare në Obiliq, thuhet në raportin të cilin e ka parë Paparaci.
Incidenti mes Lecit dhe Aliu ka vazhduar verbalisht edhe në parkingun e televizionit RTV Dukagjini, vazhdon raporti.
Paparaci ka kërkuar informata zyrtare nga Policia lidhur me rastin, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje nga Zyra për Informim e Policisë.
RTV Dukagjini tha të hënën se e ka ndërprerë bashkëpunimin me Lecin, i cili ishte panelist i rregullt në emisionin Dueli Sportiv.
Në një deklaratë zyrtare, drejtori i Informacionit të televizionit Dibran Istrefi tha se shkak i ndërprerjes së bashkëpunimit me analistin Leci, ishte përfshirja e tij në “një incident” pas emisionit Dueli Sportiv të dielën.
Leci e ka mohuar sulmin ndaj ish-futbollistes nga Skenderaj. Ai, në një reagim në Facebook të hënën, ka kërkuar nga mediat që të përmbahen nga spekulimet për rastin.