Raporti i IKD-së për legjislaturën e X-të: Kuvendi s’ishte efektiv në mbikëqyrjen e qeverisë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një konference diskutimi këtë të marte ka publikuar raportin monitorues për punën e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Kosovës, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues nga katër partitë më të mëdha parlamentare. Aty pati kritika për procesin e formimit të qeverisë, mungesën e informacionit paraprak për…
Lajme
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një konference diskutimi këtë të marte ka publikuar raportin monitorues për punën e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Kosovës, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues nga katër partitë më të mëdha parlamentare.
Aty pati kritika për procesin e formimit të qeverisë, mungesën e informacionit paraprak për përbërjen e kabinetit dhe zgjerimin e paqartë të kabinetit, teksa u theksua se sipas raportit, kuvendi nuk arriti të jetë efektiv në funksionin mbikëqyrës.
Naim Jakaj nga IKD tha se sipas po këtij raporti, legjislatura e X-të e Kuvendit, nisi me ritëm të shpejtë të vendimmarrjes, por që në thelb reflektoi më shumë formalitet sesa funksionim të plotë demokratik.
“Procesi i formimit të qeverisë u karakterizuar nga mungesa e theksuar e transparencës. Deputetët dhe opinioni publik nuk patën asnjë informacion paraprak për përbërjen e kabinetit, ndërsa zgjerimi i tij u bë pa një arsyetim të qartë. Në planin legjislativ, janë evidentuar me dhjetëra tentativa të përsëritura për shmangie të procedurave të rregullta nga ana e shumicës parlamentare. Në funksionin mbikëqyrës, kuvendi nuk arriti të jetë efektiv”, tha ai.
E, përshpejtimin e disa projektligjeve e arsyetoi ish-deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli, i cili tha se u bë për shkak se në horizont shiheshin zgjedhjet e reja, teksa e cilësoi si “punë të mirë” përfundimin e projektligjeve sa më herët.
Kërçeli tha se qeveria dhe shumica parlamentare kanë vepruar me ritëm të shpejtë me procedura të përshpejtuara për shkak të nevojës për vendimmarrje, por jo për ta shmangur demokracinë.
“Në lidhje me raportin, për akuzat për procedura të përshpejtuara, qeveria dhe shumica parlamentare kanë vepruar në një ritëm të shpejtë për shkak të nevojës për një vendimmarrje efikase dhe jo me idenë për të shmangur demokracinë. Çdo projektligj që ka kaluar në institucionet përkatëse, dhe asnjë vendim nuk është marrë jashtë rendit kushtetues. Për kritikat ndaj transparencës së kabinetit qeveritar, Qeveria Kurti ka ndërtuar qeveri mbi bazë të besimit qytetar dhe rezultateve zgjedhore”, tha ai.
Kurse, ish-deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, u shpreh se VV-ja e ka pasur synim që nga fillimi i kësaj legjislature përgatitjen për zgjedhje, sesa synimin për agjendë serioze legjislative apo qeverisëse.
Ai akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se ekspozenë e qeverisë së fundit më tepër e kishte listë dëshirash dhe se sipas tij, premtimet ishin të njëjta sikur para 6 viteve kur VV-ja i pati fituar zgjedhjet për herë të parë.
“Që nga seanca e parë u paraqit një ekspoze, që më tepër ishte listë dëshirash. Sikur të vinte nga dikush që vjen për herë të parë në qeveri, do të kishte kuptim. Për ta mbështetur këtë konstatim që ishte jo serioze, u pa vetëm pesë ditë më pas kur erdhi buxheti. Asnjë nga premtimet e mëdha që u paraqiten në ekspoze, nuk ishin në buxhet. Pra kishim një shkëpute totale në mes asaj se çka paraqiti kryeministri në ekspoze dhe buxhetit që e solli në kuvend për votim”, theksoi ai.
Ndërsa, ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, tha se legjislatura e X-të, karakterizohet me arrogancë të shumicës në përcaktimin agjendës legjislative. Ajo tha se “është synuar që të thyhen të gjitha afatet kohore vetëm për t’i proceduar projektligjet”, të cilat sipas saj, Kosova do të ketë probleme serioze në implementimin e tyre pasi siç u shpreh, nuk përkojnë me realitetin.
“Kur nuk respektohen afatet dhe iu iket diskutimit publik, nuk adresohen çështjet e grupeve të interesit dhe personave që preken që preken më së shumti nga këto ligje, duke i përjashtuar nga procedura e hartimit të ligjit, vërtetë e ka cenuar demokracinë e kuvendit. Në shumë raste, komisionet janë thirrur brenda 15 minutave që të mblidhen dhe t’i shqyrtojnë projektligjet për të cilat deputetët as që i kanë pasur për lexim dhe krejt kjo flet për një agjendë tjetër jopublike që më gjasë, partia më e madhe ka dashur ta imponojë në kuvend.”
Teksa për ish-deputetin e AAK-së, Besnik Tahirin, kjo legjislaturë e ka nisur punën mbrapsht dhe e përfundoi edhe më mbrapsht, ku tha se kjo reflektohet edhe në gjuhën hulumtuese të raportit të IKD-së.
Tahiri tha se është Legjislatura e X-të e nisi punën mbrapsht pasi është kërkuar votë prej deputetëve pa e pasur përpara ekspozenë e qeverisë, e as listën e ministrive dhe emrat e ministrave.
“Kjo ka qenë nisja. Është nisur mbrapsht për shkak se të gjithë e kemi ditur se detyra e parë është votimi i qeverisë, ndërsa detyra e dytë pas pak muajve është votimi i presidentit. Në qoftë se e bëjmë një analizë të kësaj legjislature, janë dy momente “historike” parlamentare. E para, kjo është legjislatura më e shkurtë në histori të Kosovës dhe e dyta është se më së shumti ka kërkesa për seanca të jashtëzakonshme shumica. Në të kaluarën, i ka pasur opozita”.
Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës u shpërbë me automatizëm pasi deputetët nuk arritën që brenda afatit kushtetues ta zgjidhnin presidentin e vendit./kp