Raporti i Eurostat: Gati 100 mijë shqiptarë emigruan në vendet e BE-së vetëm në vitet 2022-2023
Ritmet e emigracionit janë përshpejtuar ndjeshëm në vitet e fundit, duke tejkaluar edhe nivelin e vitit 2015, kur u regjistrua një ikje masive. Ndërsa në vitin 2015 emigracioni u reflektua kryesisht në kërkesat për azil në Bashkimin Europian, tani treguesi real vjen nga të dhënat mbi numrin e emigrantëve të regjistruar në vendet e BE-së,…

Lajme
Ritmet e emigracionit janë përshpejtuar ndjeshëm në vitet e fundit, duke tejkaluar edhe nivelin e vitit 2015, kur u regjistrua një ikje masive.
Ndërsa në vitin 2015 emigracioni u reflektua kryesisht në kërkesat për azil në Bashkimin Europian, tani treguesi real vjen nga të dhënat mbi numrin e emigrantëve të regjistruar në vendet e BE-së, sipas raportit të fundit të Eurostat.
Sipas të dhënave, në vitin 2023 janë regjistruar rreth 49 mijë emigrantë të ardhur nga Shqipëria në BE. Edhe në vitin 2022 emigracioni kishte qenë në nivele të ngjashme, duke bërë që në dy vitet e fundit (2022-2023) të jenë larguar gati 100 mijë persona nga vendi. Kjo shifër nuk përfshin Greqinë, një nga destinacionet kryesore të shqiptarëve.
Krahasuar me vitin 2015, kur numri i emigrantëve shqiptarë në BE ishte 44 mijë, situata aktuale tregon një valë të re emigracioni, e cila nisi pas pandemisë.
Më pak kërkesa për azil, më shumë emigracion për punë
Ndryshe nga vala e emigracionit të vitit 2015, ku shumica kërkuan azil, tani shqiptarët po largohen përmes bashkimeve familjare (kryesisht drejt Italisë) dhe për qëllime punësimi (kryesisht në Gjermani).
Në vitin 2023, vetëm 9,145 shqiptarë aplikuan për azil, ndërsa në vitin 2022 ky numër ishte 13 mijë. Në krahasim, në vitin 2015 kërkesat për azil nga shqiptarët në BE arritën në 68 mijë.
Destinacionet kryesore të emigrantëve shqiptarë
Italia – është destinacioni kryesor, ku në vitin 2023 janë regjistruar rreth 30 mijë emigrantë shqiptarë, ose 62% e totalit. Edhe në vitin 2022, numri ishte i ngjashëm me 29 mijë.
Gjermania – mbetet e preferuara për të rinjtë që kërkojnë punë. Në vitin 2023 u regjistruan 14 mijë emigrantë shqiptarë, ndërsa në 2022 kjo shifër ishte 15 mijë. Më shumë se gjysma e tyre ishin të grupmoshës 20-34 vjeç.
Kroacia – është një destinacion në rritje, duke tërhequr mbi 1 mijë emigrantë shqiptarë në vitet e fundit, kryesisht në sektorët e ndërtimit dhe turizmit.
Emigracioni në BE
Sipas Eurostat, në vitin 2023, rreth 4.3 milionë persona imigruan në vendet e BE-së nga shtete jo-anëtare, një shifër që nuk përfshin kërkuesit e azilit dhe refugjatët nga Ukraina.
Në krahasim me vitin 2022, numri i emigrantëve drejt BE-së ka rënë me 17.9%, nga 5.3 milionë në 4.3 milionë, ndërsa emigracioni brenda vendeve të BE-së mbeti i qëndrueshëm, me 1.5 milionë lëvizje.
Në raport me popullsinë, Malta regjistroi normën më të lartë të imigracionit në BE në vitin 2023, me 76 emigrantë për çdo 1,000 banorë, e ndjekur nga Qipro (43) dhe Luksemburgu (40).
Në anën tjetër, Sllovakia kishte normën më të ulët të emigracionit, me vetëm 1 emigrant për çdo 1,000 banorë, e ndjekur nga Franca (6) dhe Italia (7).
Pavarësisht këtyre shifrave, duke qenë se Greqia nuk raporton të dhëna, numri i shqiptarëve që kanë emigruar drejt vendeve të BE-së mund të jetë edhe më i lartë.