Raporti i Auditorit- Një tender prej 10 mijë eurosh për “Festivalin e Këngës” në RTK ishte shpallur pa procedura të tenderimit
Festivali i Këngës është mbajtur në RTK më datë 24 dhe 25 tetor të vitit të kaluar, me moderator Adi Krastën. Ky festival krahas organizimit, siç kanë vërejtur edhe auditorët, kishte edhe disa probleme me tenderë, apo thënë ndryshe një i tillë ishte shpallur pa procedura të tenderimit. Sipas Auditorit, nuk ishte evidentuar asnjë emergjencë…

Lajme
Festivali i Këngës është mbajtur në RTK më datë 24 dhe 25 tetor të vitit të kaluar, me moderator Adi Krastën.
Ky festival krahas organizimit, siç kanë vërejtur edhe auditorët, kishte edhe disa probleme me tenderë, apo thënë ndryshe një i tillë ishte shpallur pa procedura të tenderimit.
Sipas Auditorit, nuk ishte evidentuar asnjë emergjencë në këtë tender që i ishte dhënë një kompanie nga Shqipëria për festivalin në krye të së cilit ishte Adi Krasta.
“Gjatë vitit, 2024 RTK kishte lidhur kontratë duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim për lidhjen e një kontrate për “Realizimin e dizajnit dhe grafikeve për Festivalin e Këngës në RTK 2024” në vlerë prej 10,150€ me një kompani nga Shqipëria, pa dokumentuar qartë arsyetimin ligjor për shmangien e publikimit dhe konkurrencës. Nuk ishte evidentuar ndonjë situatë emergjente, as ndonjë rrethanë që e bënte të pamundur zbatimin e procedurave të tjera të hapura apo të kufizuara, siç kërkohet nga Ligji për Prokurimin Publik”, thuhet në Raportin e Auditorit.
Auditimi ka thënë se përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim rrit rrezikun për mungesë të konkurrencës, përzgjedhje jo optimale të operatorëve ekonomik dhe keqpërdorim të fondeve publike. Gjithashtu, cenohet transparenca dhe besimi i publikut në menaxhimin e kontratave publike.
Në kriteret e këtij tenderi thuhej se kompania e cila aplikon duhet të dorëzojë dëshmi se ka përfunduar me sukses punën në festivale apo koncerte të ngjashme, kriter ky që sipas Audimit ishte diskriminues, pasi në Kosovë nuk kishte pasur festivale të tilla më parë.
“Në dosjen e tenderit për “Shërbime teknike për festivalin e dytë të Këngës në Kosovë” në vlerë 96,840€, në kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale, pika 5 është kërkuar që OE duhet të ketë listën e kontratave dhe referencat e lëshuara nga punëdhënësi që ku ka përfunduar me sukses ofrimin e shërbimeve teknike në ndriçimin dhe zërim në festivale apo në koncerte të mbyllura. Për më tepër, është përcaktuar që të paktën njëra nga këto kontrata të jetë për realizimin e festivalit të këngës të mbajtur në ndonjë televizion publik në rajon apo më gjerë për garën Kënga e Eurovizionit apo eventeve të ngjashme gjatë tre viteve të fundit nga data e publikimit për kontratë. Ky kriter si i tillë ishte diskriminues, pasi në Kosovë nuk kishte pasur festivale të tilla të organizuara më parë dhe, si rrjedhojë, operatorët vendorë nuk kishin mundësi reale për të përmbushur këtë kërkesë, duke u përjashtuar në këtë mënyrë nga konkurrenca. Në anën tjetër, OE kishte ofertuar me çmimin e përfshirë me TVSH në vlerë 16,140€ përkundër faktit që furnizimet dhe shërbimet nga importi të kësaj natyre ishin të liruara nga TVSH-ja sipas ligjit në fuqi”, thuhet në raportin e Auditorit.
Sipas Auditimit, tender i dyshimtë është edhe ai i veturave.
“Gjithashtu, RTK nuk kishte arritur të bënte zgjidhje afatgjatë ose me kohë për shfrytëzimin e veturave për nevojat e RTK-së edhe pse kishte kontratë publike për 60 muaj. Pas skadimit të kësaj kontrate kishte përdorur procedurë të negociuar për kontratën “Shfrytëzimi afatshkurtër i veturave për nevojat e RTK-së” në vlerë 33,900€”, thuhet në raportin e Auditorit. /Lajmi.net/