Raportet e ndërlikuara Kosovë – BE

Raportet e Prishtinës dhe Brukselit kanë mbërri nivelin më të ulët që prej se Kosova është bë shtet i pavarur.

Lajme

03/01/2019 09:31

Blerim Shala

 Ditët e para të vitit 2019-të, na sollën lajme dhe deklarata të vjetra nga Brukseli. Që nuk ofrojnë kurfarë shprese për qytetarët e Kosovës.

Rainer Wieland, Zëvëndës-Presidenti i Parlamentit Evropian, pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, kur foli për krye-interesimin e kosovarëve, apo për ‘Liberalizimin e vizave’, nuk hapi kurfarë shtegu për ne. Përkundrazi. Njëlloj si Komisioner Hahn në dhjetor, edhe ky na ftoi që të mos flasim për datat dhe kohën kur do të mund të udhëtojmë lirshëm në Evropë.

Natyrisht, në një të ardhme, kjo do të ndodhë. Për ata që do të jenë gjallë. Kaq mund të themi, pa gabuar fare.

Sidoqoftë, kjo vizita e parë e sivjetme një zyrtari të lartë evropian në Prishtinë, konfirmoi që raportet e Prishtinës dhe Brukselit kanë mbërri nivelin më të ulët që prej se Kosova është bë shtet i pavarur, gjithsesi me përkrahjen e madhe të BE-së, dhe të shteteve kryesore të tij.

Aktualisht, autoritetet më të larta të Kosovës dhe të BE-së, nuk kanë çka t’i ofrojnë njëri-tjetrit, pos deklaratave akuzuese dhe kërkesave, të cilat duket që nuk kanë si të adresohen, për shkak të mungesës së interesimit, vullnetit dhe të fuqisë vendimmarrëse, këtu dhe atje.

Në këtë kontekst, natyrisht, prononcimet e njohura, që në rastin e Kosovës janë në fuqi realisht që nga Samiti i Selanikut i BE-së  (i vitit 2003), sipas të të cilave, ‘Kosova ka perspektivë evropiane’, kanë humbur në tërësi kredibilitetin e tyre, edhe pse hapi i parë në këtë aspekt është bërë, me MSA-në  (Marrëveshjen e Stabilizim/ Asociimit).

Instancat më të larta të BE-së, në dy muajtë e mbramë të vitit të shkuar, janë shquar me një qëndrim kategorik, kur bëhej fjalë për Qeverinë e Kosovës. Taksa prej 100% ndaj mallërave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, duhet të hiqet menjëherë.

Në anën tjetër, edhe pala kosovare ka një qëndrim kategorik, kur bëhet fjalë për komunikimin e saj me Brukselin: Vizat ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të hiqen tash, sepse janë plotësuar 100% të gjitha kriteret/ kushtet (95 sa kanë qenë) e parashtruara nga BE.

Në realitet, ky zhvillim me viza dhe me taksa, është vetëm ajo maja e akullnajes që shihet, ndërsa nën te, janë një mori problemesh që janë grumbulluar, si në Prishtinë, ashtu edhe në Bruksel, e që vështirë që mund të zgjidhen me të shpejtë, për pak javë apo muaj, gjatë këtij viti.

Dhe këtu, Kosova dhe BE, siç mund të mirret lehtë me mend, nuk janë në situatë të njejtë.

Kosova njëmend nuk ka variant apo opsion tjetër pos BE-së  (dhe Aleancës Veri-Atlantike). Kosova nuk e ka mundësinë, si Serbia, të luajë me disa letra, (me Rusinë, mbi të gjitha). Miqësia me SHBA-në, dhe bashkëpunimi me BE-në, janë themele të pandryshueshme të orientimit të brendshëm dhe ndërkombëtarë të Kosovës.

Në anën tjetër, në Bruksel, në instancat më të larta të BE-së, nuk ka dyshim që Kosova është shtet dhe do të mbetet shtet, i cili do të jetë, sipas të gjitha gjasave, shteti i fundit i Ballkanit Perëndimor, që do të anëtarësohet në BE (më para edhe në Paktin NATO).

Por moskuptimi në mes të Prishtinës dhe Brukselit ka të bëjë me dinamikën e këtyre proceseve, dhe me mungesën e vendimmarrjes efektive, një herë në Bruksel, e pastaj në Prishtinë, kur bëhet fjalë për rrugëtimin e Kosovës kah BE-ja.

Në rastin e Serbisë, ta zëmë, Marrëveshja eventuale gjithpërfshirëse me Kosovën, do t’ia hapë Beogradit të gjitha dyertë kah BE-ja.

Në rastin e Kosovës, Marrëveshja ligjësisht obligative me Serbinë, nuk i hapë automatikisht dyertë kah BE-ja, sepse janë edhe pesë ‘çelësa’  (shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën), të cilët Prishtina nuk i ka, për t’i hapur deyrtë e veçanta brenda ‘Pallatit evropian’.

Për më shumë, siç e pa fare qartë në rastin e Liberalizimit të vizave, ka edhe shtete të BE-së që gjithmonë e kanë mbështetur Kosovën  (si Gjermania dhe Franca), të cilat nuk na përkrahën kur më së shumti pritej, për ta hapur atë portën e madhe për udhëtimin e kosovarëve drejt Evropës.

Situata ndërlikohet tutje, kur dihet që sivjet do të ketë zgjedhje për Parlamentin Evropian. Komisioni  (Qeveria e re), Evropian do të nisë të funksionojë në vjeshtë të këtij viti, jo më herët.

Në përgjithësi pra, duket që ky do të jetë një vit i vështirë për raportet e Kosovës me BE-në. 

(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)