Ramush Haradinaj: Jam gati të qeveris
Sipas Ramush Haradinajt, gjendja në Kosovë nuk është e mirë dhe se trendi gjithshtu po tregon zhvillime negative në qeverisje. Ai thotë se nuk ka ndonjë preferencë për datën e zgjedhjeve. Por, nuk heq dorë nga kërkesa për fillimin e konsultimeve.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/media/image/201312/full/Ramushi.jpg)
Lajme
E plotësuar, 21:17
Ramush Haradinaj thotë se është gati që ta qeverisë Kosovën.
Në intervistën për RTK, kreu i AAK’së u shpreh se me të si Kryeministër, vendi do të zhvillohet ekonomikisht e politikisht, por do të përfitojë edhe në imazh.
Ai tha se nuk është njeri i zakonshëm.
“Nuk po dua të vij në pushtet si i zakonshëm. Ajo që po synoj është një opsion serioz vendit që t’i jap drejtim zhvillimit, që të mos jemi në këtë gjendje”.
“Të gjitha bëhen me një qasje serioze, me një vlerësim të brendshëm dhe të partnerëve”.
“Nëse duam ta bëjmë një vend. S’bëhet një vend sa për të thënë”.
“Nëse e keni fjalën për të zakonshëm unë nuk jam i tillë”
“Nëse doni t’i ktheni humbjen vendit, në planin politik, të sigurisë, në ekonomi, imazh dhe në besim me njëri-tjetrit, nëse doni t’i jepni Kosovës fitoren, kështu jam gati”.
“Unë kam pritje që të marrë besimin me një plan qeverisës me garanca deri në arritje”.
“Për një qeverisje të zakonshme, nuk jam. Për një qeverisje dinamike jam”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj për Letrën drejtuar Presidentes: Kam respektuar një rend shtëpie
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka respektuar një “rend shtëpie” kur i ka shkruar Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për t’i kërkuar asaj përshpejtimin e shkuarjes së vendit në zgjedhje parlamentare.
Në një intervistë për RTK, Haradinaj ka thënë se gjendja në Kosovë nuk është e mirë dhe se trendi gjithshtu po tregon zhvillime negative në qeverisje.
“Ekziston njëfarë rendi i punëve. E kuptoj një pozicion të tillë të saj. Rendi fillon me Presidenten. Deri më tani na kanë ndihmuar Ambasadorët që kanë qenë nikoqirë të disa konsultave”.
“Kam kërkuar që të fillojë konsulta, që të reflektojë në një gjendje të krijuar politike. Gjendja nuk është e mirë, trendi është i keq. Gjendja shkon kah përkeqësimi i mëtejmë”
“Ajo që po bëjmë ne është reflektim ndaj gjendjes që kemi. Është në interest ë Kosovës që të veprojmë”, ka thënë Haradinaj në një intervistë në RTK.
“Nuk kam kërkuar të dëgjohet vetëm AAK, por të gjitha partitë. Nuk do të prij me qëndrim. Nuk kam datë zgjedhore. Nuk mbahen zgjedhjet vetëm me qëndrim të AAK’së. Për t’i shpallë zgjedhjet duhet të mendojmë të gjithë. I kam kërkuar të na ftojë që të ulemi dhe të bisedojmë si do t’ia bëjmë”.
“Janë konsulta politike, është njëlloj reflektimi në vazhdimësi. Ata kanë ndarë orë të tëra për konsulta për Kosovën”.
Haradinaj është shprehur se Qeveria aktuale nuk e ka shumicën, prandaj ka ftuar partitë në koalicionin qeveritar të inicojnë vetë konsultat për shkuarjen në zgjedhjet e reja.
“Duhet ta diskutojmë me partnerët në opozitë a ka gatishmëri për ta bërë mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Për bindjen time, vetë Z. Thaci ka qenë dashur ta reflektojë gjendjen në Parlament. Nuk e ka shumicën”.
“Ata vetë duhet t’i fillojnë konsultat, sepse nuk e kanë shumicën. Nuk mundesh të mos e kesh shumicën dhe të vazhdosh të qeverisësh vendin”.
Haradinaj, pasi është kthyer nga vizita në SHBA, ka thënë se as kosovarët e as miqtë ndërkombëtarë nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale në Kosovë.
Ai nuk deshi të thotë nëse amerikanët e mbështesin atë për Kryeministër të ardhshëm të vendit.
“Ata konsiderojnë se unë punoj seriozisht për vendin”.