Ramosaj: Deçani gjithmonë ka qenë vatër e qëndresës, burrërisë dhe sakrificës

Për nder të datave 5 dhe 6 maj, në të cilat përkujtohen dhe nderohen heronjtë, dëshmorët e martirët e Deçanit, Kuvendi Komunal i kësaj komune ka mbajtur seancë solemne, ku u tha se kjo trevë ka qenë vatër e qëndresës, burrërisë dhe sakrificës për liri. Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se në…

Lajme

05/05/2025 16:17

Për nder të datave 5 dhe 6 maj, në të cilat përkujtohen dhe nderohen heronjtë, dëshmorët e martirët e Deçanit, Kuvendi Komunal i kësaj komune ka mbajtur seancë solemne, ku u tha se kjo trevë ka qenë vatër e qëndresës, burrërisë dhe sakrificës për liri.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se në Deçan janë qindra heronj e dëshmorë që përmes këtyre dy ditëve përkujtohen. Ai tha se heroi Luan Haradinaj është i pari që ra nga kjo komunë në kufirin me Shqipërinë.

“Në këtë qytet janë qindra e qindra heronj e dëshmorë e martirë e këtu përfaqësojnë edhe atë që është e dhimbshme në kuptimin e dhunimeve, e dhimbshme në kuptimin e vrasjes së civilëve njerëz në moshë deri tek fëmijët që kanë qenë të pambrojtur. Nuk na ka ndarë kurrë armiku në bazë të partie politike, por në baza nacionale ke qenë shqiptar, ke qenë armik i tij. Dhe unë uroj që kjo logjikw me funksionua edhe më tutje deri tek kryeheroi Luan Haradinaj që është heroi i parë nga kjo komunë që ka rënë në kufirin mes Shqipërisë… Ajo që është sot esenciale mes neve përpos kujtimit të kësaj date që është 5 maji ne me vendim të asamblesë kemi vendos që edhe 6 maji me qenë ditë ku i nderojmë çdo dëshmorë dhe martirë të rënë në territorin e Deçanit sepse është dita kur ka rënë luftëtari i parë i UÇK-së nga kjo zonë, Luan Haradinaj”, tha ai.

Kryetar i Kuvendit të Komunës së Deçanit, Hajdar Sutaj tha se Deçani ka qenë vatër e qëndresës dhe sakrificës. Ai tha se nga ky vend janë ngritur luftëtarë që nuk e kursyen jetën për lirinë e vendit.

“Deçani gjithmonë ka qenë vatër e qëndresës, burrërisë dhe sakrificës. Nga këto anë janë ngritur luftëtarë që nuk e kursyen as jetën për të ruajtur nderin dhe për të fituar lirinë. Ata nuk vdiqën, por u përjetësuan në zemrat tona, u bënë gurthemel i shtetit tonë të lirë dhe të pavarur. Këto dy ditë janë ditë kujdese dhe nderimi dhe respekti që të mos harrojmë kurrë çmimin e lirisë dhe të kujtojmë me nder çdo emër të rënë dhe të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme që u bënë nder sakrificave të tyre”, tha ai.

Luan Haradinaj kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj 1997 në kufirin shqiptaro -shqiptar.