Ramadani sqarohet: Me Avni Arifin kemi të njëjtat qëndrime

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, për dallim nga këshilltari i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, është treguar më i qetë këtë të dielë. Por, ai thotë se nuk distancohet nga deklaratat e Arifit, pasi që, siç thotë ai, ata kanë parime dhe qëndrime të njëjta.

Lajme

16/11/2014 15:15

(E plotësuar)

Burim Ramadani ka dashur që të qartësohet me opinionin publik se ai nuk distancohet nga “asnjë fjalë dhe shkronjë” që ka deklaruar sot Avni Arifi.

Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se me Arifin nuk ka dallime as në parime dhe as në shprehjen publike të qëndrimeve të AAK-së.

“Nuk u distancova nga asnjë fjalë dhe shkronjë e Avni Arifit. Me Avniun punojmë bashkë për vite të tëra dhe nuk kemi dallime as në parime dhe as në shprehjen publike të qëndrimeve tona.

Përkundrazi, e thashë qartë dhe shqip: do t’i kalojmë edhe këto sfida me përkushtim dhe vendosmëri”, ka reaguar në Facebook Burim Ramadani.

Ramadani: Do t’i kalojmë sfidat me përkushtim

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, për dallim nga këshilltari i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, është treguar më i qetë këtë të dielë. Arifi më herët gjatë ditës kishte shkruar se një qeverisje e Isa Mustafës do të ishte e keqe njësoj si ajo komunale në Prishtinë. Madje ai kishte thënë se ndryshimi mes qeverisjes së Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës nuk dallon shumë, andaj, sipas tij, një Qeveri në krye me Mustafën nuk i duhet Kosovës.

Por, Ramadani ka qenë më i kujdesshëm me fjalë. Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ndonëse sjellja e “të tjerëve ndaj nesh nuk ka qenë në përputhje me mirësjelljen tonë ndaj tyre”, ai ka besim se sfidat nëpër të cilat po kalon këto ditë Blloku, do të tejkalohen.

“Kemi qenë në situata shumë më të rënda. I kemi kaluar ato me përkushtim, me vendosmëri. Sjellja e të tjerëve ndaj nesh nuk ka qenë në përputhje me mirësjelljen tonë ndaj tyre.Ne kemi vendosur dhe kemi punuar tërë kohën një standard të mbajtjes së marrëveshjeve, mirësjelljes dhe kujdesit ndaj zotimeve. Do t’i kalojmë edhe këto sfida të tashme. Do t’i kalojmë me përkushtim dhe vendosmëri”, ka shkruar Ramadani.

Që prej se partitë e Bllokut kanë vendosur të heqin dorë nga posti i Kryeparlamentarit, pasi që aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, kandidimin për këtë post ia ka dhënë vetëm PDK-së, tensionet mes AAK-së dhe LDK-së janë shtuar.

Ndonëse me marrëveshjen e 10 qershorit, Blloku LAN kishte vendosur që posti i kryeministrit t’i takonte Ramush Haradinajt, tash LDK-ja po e kërkon këtë post për liderin e tyre, Isa Mustafa.

(Lajmi.net)