Ramadani: Kosova rrezikon kolaps të plotë institucional nëse deri në mars 2026 nuk formohet Qeveria
Analisti Burim Ramadani ka paralajmëruar përshkallëzim të krizës së institucioneve në Kosovë, duke thënë se vendi tashmë ka hyrë në një fazë “kolapsi të dukshëm”, i cili po nis nga Prishtina dhe rrezikon të shtrihet në nivel qendror. Sipas tij, kolapsi buxhetor i Komunës së Prishtinës, i reflektuar në probleme me trafikun urban dhe funksionimin…
Lajme
Analisti Burim Ramadani ka paralajmëruar përshkallëzim të krizës së institucioneve në Kosovë, duke thënë se vendi tashmë ka hyrë në një fazë “kolapsi të dukshëm”, i cili po nis nga Prishtina dhe rrezikon të shtrihet në nivel qendror.
Sipas tij, kolapsi buxhetor i Komunës së Prishtinës, i reflektuar në probleme me trafikun urban dhe funksionimin e kopshtave, është vetëm paralajmërimi i një situate më të gjerë që mund të godasë të gjithë vendin, transmeton lajmi.net.
Ramadani thekson se nëse Kosova nuk del nga bllokada politike deri në fund të marsit 2026, vendi mund të përballet me pasoja serioze: “Nëse deri në javën e fundit të marsit 2026 nuk ka qeveri të re dhe nuk ka ligj të ri të buxhetit, kolapsi mund ta rrënojë sigurinë dhe rendin publik”.
Ai shton se më shumë se gjashtë muaj vendi po vuan nga një paralizë institucionale, me qindra pozita të paplotësuara në qeveri dhe agjenci të pavarura, ku ushtruesit e detyrës, sipas tij, “nuk kanë legalitet për asnjë vendim”. Ramadani përmendi edhe qindra lëndë nëpër gjykata që lidhen me vendime të paligjshme të marrë nga U.D.-të.
Sipas tij, nëse situata vazhdon, Kosova rrezikon “kolaps buxhetor, institucional dhe të rendit publik”./lajmi.net/