Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar vonesën në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si bllokadë dhe papërgjegjësi institucionale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ramadani ka kërkuar që të thirret sa më shpejt seanca konstituive e Kuvendit, duke thënë se nuk ka arsye që ky proces të shtyhet.
“Papërgjegjësi totale mosthirrja e Kuvendit. Konstituimi i Kuvendit nuk ka asnjë arsye normale të vonohet”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka pretenduar se prapa kësaj vonese qëndron një plan për bllokimin e funksionimit të institucioneve.
“I vetmi plan prapa kësaj vonese është bllokada. Shihet qartë se as nuk iu ngutet, as nuk e kanë dertin e funksionimit të shtetit”, ka deklaruar ai.
Ramadani ka theksuar se kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe ka bërë thirrje që Kuvendi të mblidhet sa më parë.
“Thirreni seancën e Kuvendit!”, ka përfunduar deputeti i zgjedhur i Aleancës. /Lajmi.net/