Ramadani: Haradinajt i është ofruar dokument i përkohshëm udhëtimi
Burim Ramadani ka thënë se autoritetet sllovene i kanë ofruar mundësinë Ramush Haradinajt që të udhëtojë drejt Kosovës me një dokument të përkohshëm por ai nuk ka pranuar.
Lajme
“Ata i kanë ofruar këtë duke thënë se do të marrin kohë procedurat ligjore. Por, Haradinaj nuk ka pranuar ndërsa ka kërkuar që pasaporta t’i kthehet me vendim të Gjykatës ashtu siç i është marrë”, ka thënë Ramadani për Klan Kosovën.
Haradinaj pritet të kthehet sonte pas mesnate nga Sllovenia nëpërmjet Aeroporti të Tiranës.
Ai ka folur edhe për deklaratat e liderit të tij partiak gjatë qëndrimit të tij në Slloveni, duke thënë se revolta e shfaqur përmes tyre, është e arsyeshme duke pasur parasysh rrethanat.
“Është e kuptueshme revolta e Haradinajt por edhe e jona, sepse është lëshuar nga një shtet që nuk ekziston. Haradinaj është ndër të vetmit që është dorëzuar dy herë në Hagë”, shtoi më tej Ramadani.