Ramadan Muja nuk jep dorëheqje

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, nuk dha sot dorëheqje nga kjo pozitë. Ai tha se se ndihet i pafajshëm dhe s'e ka ndërmend të japë dorëheqje. Ai tha se nuk mund të jap dorëheqje sa herë të kërkojë opozita. Dje, Muja u shpall fajtor nga gjykata në Prizren.

Lajme

14/03/2014 11:11

Ramadan Muja sapo ka njoftuar se nuk do të jap dorëheqje nga posti i Kryetarit të Prizrenit.

Muja deklaroi në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, të mbajtur në objektin e Komunës së Prizrenit se nuk ndihet fajtor.

“Do ta pres vendimin e gjykatës së apelit”, ka thënë Muja, bën me dije korrespondenti i “Kohës Ditore” në Prizren.

“Nuk mund të jap dorëheqje sa herë të më kërkojë opozita”, ka porositur i pari i Komunës së Prizrenit, i dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me dy vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dje është dënuar 2 vjet burgim me kusht që ai të mos kryejë vepra të tjera penale gjatë 3 vjetëve të ardhshëm.

Ai është akuzuar nga EULEX-i për keqpërdorim të detyrës zyrtare bashkë me pesë zyrtarët komunalë. Muja do ta ketë gjithashtu të ndaluar ushtrimin e funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh, çfarë e çon Prizrenin në zgjedhje të jashtëzakonshme, nëse vendimi konfirmohet edhe nga shkalla e dytë e Gjykatës.

Vendimin e gjykatës ndaj Mujës e ka përshëndetur Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Prizren, e cila ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Mujës, raporton koha.net