Ramadan Morina ka shtetësi të Serbisë, gjykata e paraburgosi nga frika e arratisjes
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Ramadan Morina, i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile. Në njoftimin e gjykatës thuhet se, gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Ramadan Morina, i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se, gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin R.M., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.
Teksa lidhur me rastin gjykata ka vlerësuar se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Po ashtu gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.M. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se ai ka shtetësinë e Serbisë, ka vendbanimin e përhershëm në Serbi, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale, gjithashtu Gjykata konstaton se nëse i pandehuri lihet në liri paraqet rrezik real se i njëjti mund të identifikoj dëshmitarët dhe të ushtroj ndikim tek të njëjtit.
“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, theksohet në njoftim. /Lajmi.net/