Ramabaja: Zgjidhja e krizës kërkon marrëveshje politike, jo kokëfortësi

Analisti politik, Sadri Ramabaja, vlerëson se liderët e partive parlamentare janë të vetëdijshëm se ndodhen në një situatë të ndërlikuar politike, të krijuar, sipas tij, nga interpretimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se kjo situatë nuk mund të zgjidhet me këmbëngulje në qëndrime, por kërkon shkathtësi politike dhe një marrëveshje të gjerë mes partive. “Lidershipi…

Lajme

13/07/2026 21:32

Analisti politik, Sadri Ramabaja, vlerëson se liderët e partive parlamentare janë të vetëdijshëm se ndodhen në një situatë të ndërlikuar politike, të krijuar, sipas tij, nga interpretimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se kjo situatë nuk mund të zgjidhet me këmbëngulje në qëndrime, por kërkon shkathtësi politike dhe një marrëveshje të gjerë mes partive.

“Lidershipi i tri-katër forcave politike parlamentare e ka të qartë që ndodhet në një kurth politik të hedhur nga Gjykata Kushtetuese, me këtë kuorum të imponuar jashtë frymës së Kushtetutës. Të gjithë e kanë kuptuar se nga ky kurth politik duhet të dilet me shkathtësi e jo me kokëfortësi”, tha Ramabaja ne “Debat Plus”.

Sipas tij, zgjidhja mund të vijë përmes një koalicioni ose një marrëveshjeje politike që do të mundësonte ndryshimet e nevojshme kushtetuese, veçanërisht për mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

“Ky proces kërkon ose një marrëveshje të gjerë politike, një koalicion, ose një marrëveshje që garanton një periudhë të përshpejtuar për të bërë ndryshimet kushtetuese të domosdoshme, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët”, u shpreh ai.

Ramabaja theksoi se si Lëvizja Vetëvendosje ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e shohin këtë debat si të domosdoshëm, duke shtuar se zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje.

“Nuk ka kurrfarë kuptimi të shkohet në zgjedhje të reja. Sidomos për LDK-në, e cila ka probleme të brendshme që mund t’i shkaktojnë telashe të mëdha. Besoj se do të gjendet një zgjidhje brenda afateve kushtetuese dhe vendi do të dalë nga ky kurth, duke krijuar parakushtet për një qeveri stabile në katër vitet e ardhshme”, deklaroi ai.

Duke folur për zhvillimet brenda LDK-së, Ramabaja tha se presidentja Vjosa Osmani synon rikthimin në krye të partisë.

“Vjosa Osmani po lufton që të vijë në krye të LDK-së. Ajo ka qenë kryetare dhe si presidente e Republikës nuk ka mundësi të zgjidhet për herë të dytë, prandaj beteja e saj tashmë është për udhëheqjen e LDK-së”, tha Ramabaja.