Ramabaja: Për të varfrit rryma është e lirë, por ata që nxehen me rrymë paguajnë shtrenjtë

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues. Sivjet, ZRRE-ja konfirmoi se kompanitë për shpërndarje dhe furnizim me rrymë kanë kërkuar që ajo të shtrenjtohet, por nuk specifikoi se sa. Analisti Sadri Ramabaja…

Lajme

25/02/2025 23:01

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Sivjet, ZRRE-ja konfirmoi se kompanitë për shpërndarje dhe furnizim me rrymë kanë kërkuar që ajo të shtrenjtohet, por nuk specifikoi se sa.

Analisti Sadri Ramabaja ka komentuar çmimin e energjisë elektrike në vend, teksa ka thënë se kostoja e energjisë varet nga shpenzimi dhe se ata që kalojnë 800 kWh në muaj përballen me tarifa më të larta.

Sipas Ramabajës, për shtresën e varfër çmimi i rrymës është relativisht i ulët dhe çmimet mbeten të përballueshme.

Megjithatë, ai theksoi se ata që kanë më shumë komoditet dhe përdorin energjinë për ngrohje, do të përballen me kosto shumë më të larta.

“Varet sa shpenzon. Nëse ke ekonomi që kalon 800, atëherë e kemi dyfish më shtrenjtë. Megjithatë për shtresën e varfër në Kosovë është relativisht i lirë. Ndërkaq, ata që kanë komoditet edhe nxehen me rrymë, ata do të paguajnë shtrenjtë. Me rrymë nuk nxehen as në Zvicër, as në Norvegji”, ka thënë Ramabaja në Debat Plus.