Rama u bën thirrje shqiptarëve të kthehen: 500 aplikantët e parë do mund të investojnë pa paguar taksa në shtet për 10 vite

Kryeministri Edi Rama ka bërë një thirrje për emigrantët shqiptarë, duke i ftuar ata të shfrytëzojnë mundësitë e investimeve në fshat nëpërmjet Paketës së Maleve. Rama theksoi se ata që përfshihen në 500 aplikantët e parë do të kenë mundësinë të investojnë pa asnjë detyrim tatimor për 10 vite. Kreu i qeverisë u shpreh se…

Lajme

29/03/2025 20:44

Kryeministri Edi Rama ka bërë një thirrje për emigrantët shqiptarë, duke i ftuar ata të shfrytëzojnë mundësitë e investimeve në fshat nëpërmjet Paketës së Maleve.

Rama theksoi se ata që përfshihen në 500 aplikantët e parë do të kenë mundësinë të investojnë pa asnjë detyrim tatimor për 10 vite.

Kreu i qeverisë u shpreh se emigrantët që zotërojnë tokë në fshat, madje edhe pa dokumentin e pronësisë, mund të marrin një vërtetim nga këshilli bashkiak dhe të marrin lejen për të investuar në pronën e tyre, duke e kthyer atë në agroturizëm ose për projekte të tjera bujqësore dhe agropërpunuese.

“Për të gjithë ata që janë këtu në Greqi apo edhe në vende të tjera dhe që kanë një tokë në fshat, një shtëpi të rrënuar të gjyshit, mund të marrin leje për të rindezur oxhakun dhe për të investuar atje. Ligji që kemi kaluar në parlament ofron mundësinë që ata të zhvillojnë investime në bujqësi, blektori, agropërpunim dhe agroturizëm”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se për 500 aplikantët e parë, ligji ofron 10 vite pa taksa, pa TVSH dhe pa detyrime ndaj shtetit.

“Takova një djalë para pak javësh nga ky ishull që merrej me grumbullimin e produkteve bujqësore dhe nxjerrjen e tyre në treg. Keni shumë eksperiencë dhe dije, keni parë shumë dhe për këdo që do të kthehet ose të investojë atje, duhet të keni parasysh se ligji thotë se për 500 aplikantët e parë janë 10 vite pa taksë, TVSH dhe asnjë lloj detyrimi ndaj shtetit”

Për mbështetjen e investimeve,Rama informoi se Banka e Shqipërisë ka hapur një linjë kredie me një fond prej 250 milionë eurosh, ku shteti garanton 70% të kolateralit për ata që aplikojnë.

Është në dorën e secilit që të interesohet dhe ta shohë vetë nëse është kështu si them unë. Për të mbështetur investimet në fshat, BSH ka hapur edhe një linjë kredie që fillon me 250 mln euro në total, dhe cilido që do të ketë akses në atë linjë kredie, që 70 përqind të kolateralit garantohet nga shteti, është i ftuar ta bëjë”, u shpreh Rama.