Rama “selam” Muratit: Mbaje fjalën, zhbllokoj 35 milionë eurot!

Asambleja e Kryeqytetit ka miratuar sot të hyrat buxhetore për vitin 2024 në vlerë prej 28 milionë eurosh. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me anë të një postimi ka theksuar rëndësinë e sigurimit të vazhdimësisë financiare për projektet e qytetit, transmeton lajmi.net. Rama ka apeluar që ministri në detyrë, Hekuran Murati ta mbajë premtimin për…

Lajme

27/11/2025 16:45

Asambleja e Kryeqytetit ka miratuar sot të hyrat buxhetore për vitin 2024 në vlerë prej 28 milionë eurosh.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me anë të një postimi ka theksuar rëndësinë e sigurimit të vazhdimësisë financiare për projektet e qytetit, transmeton lajmi.net.

Rama ka apeluar që ministri në detyrë, Hekuran Murati ta mbajë premtimin për alokimin e mjeteve të miratuara, duke theksuar gjithashtu se ende mbeten të bllokuara 25 milionë euro të hyrave vetanake dhe 10 milionë euro grant qeveritar, një total prej 35 milionë eurosh, të cilat sipas tij nuk kërkojnë procedura shtesë në Asamble, por vetëm miratimin nga ministri përkatës.

“Këto mjete janë të domosdoshme për realizimin e projekteve për qytetarët e Prishtinës,” ka theksuar Rama, duke shprehur pritjen që fondet të zhbllokohen sa më shpejt.

Postimi i plotë: 

Miratohen në Asamblenë e Kryeqytetit të hyrat e vitit 2024 në vlerë prej 28 milionë euro!
Uroj që ministri në detyrë ta mbajë fjalën për alokimin e mjeteve të votuara sot. Si dhe 25M të hyra vetanake dhe 10M grant qeveritar, në total 35Milion që ende mbahen të bllokuara dhe që nuk kërkojnë asnjë procedurë në Asamble, por vetëm vullnetin e ministrit në detyrë për miratim!/lajmi.net/