Rama rrëfen si nisi bashkëpunimi me Kushner: Si do t’i thosha jo investimeve në Shqipëri?

Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer për herë të parë detaje nga njohja me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si dhe nisjen e interesimit për investime në zonat e Sazanit dhe Zvërnecit. Në një intervistë për rrjetin britanik Channel 4, Rama u kthye pas te viti 2020, kur u njoh me çiftin gjatë një ndalese në…

Lajme

29/07/2026 13:32

Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer për herë të parë detaje nga njohja me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si dhe nisjen e interesimit për investime në zonat e Sazanit dhe Zvërnecit.

Në një intervistë për rrjetin britanik Channel 4, Rama u kthye pas te viti 2020, kur u njoh me çiftin gjatë një ndalese në Shqipëri dhe më pas diskutimeve për mundësi investimi në vend.

Sipas kryeministrit, takimi i parë nuk kishte lidhje me projekte konkrete, por më vonë, gjatë Forumit Ekonomik të Davosit, Kushner shprehu interes për mundësitë që ofronte Shqipëria.

“U njoha me Jared dhe Ivanka. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por nuk ishin të interesuar për asgjë në termat e interesit direkt. Më vonë, në Davos, Kushner shprehu interes për mundësitë për të investuar në Shqipëri. Dhe sigurisht që i thashë po. Si do t’i thoja jo?”-tha Kryeministri.

Rama bëri të ditur se aktualisht nuk ka ende një projekt përfundimtar për Sazanin apo Zvërnecin, ndërsa materialet e publikuara më herët në internet kanë qenë vetëm një paraqitje fillestare e idesë.

“Çfarë u hodh në Instagram ishte thjesht një klip. Projekti ka evoluar. Procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë dhe dizajnerë peizazhesh, ndërsa po bëjmë edhe vlerësimin e pavarur të ndikimit mjedisor.”-shtoi Rama në intervistë.

Kryeministri u shpreh se synimi është që zhvillimi i këtyre zonave të bëhet në përputhje me standardet europiane dhe pa dëmtuar mjedisin.

“Qëllimi është të rigjenerojë atë, jo të brutalizojë një vend të bukur.”-u shpreh ai.

Lidhur me shqetësimet e ngritura nga Komisioni Europian dhe protestat kundër projektit, Rama tha se procesi duhet të respektojë direktivat e Bashkimit Europian, duke e konsideruar debatin publik si pjesë të një shoqërie demokratike.

“Është mirë që Komisioni Europian është i shqetësuar. Ideja që ne do të shkojmë në një drejtim që bie ndesh me direktivat e BE-së është absurde.”-tha më tej.

Në intervistë, Rama foli edhe për protestën e zhvilluar kundër projektit, duke e lidhur reagimin qytetar me rritjen e pritshmërive të shoqërisë shqiptare.

“Kam reflektuar shumë për këtë protestë. Njerëzit nuk dalin në rrugë vetëm për faktet, por edhe për pritshmëritë e tyre.”-u shpreh Kryeministri për protestën.

Projekti për Sazanin dhe Zvërnecin vijon të jetë në fazën e vlerësimeve dhe diskutimeve, ndërsa qeveria pritet të ndjekë procedurat për miratimet e nevojshme./Oranews/