Rama përshëndet lumturimin e martirëve të Kishës Katolike
Edhe kryeministri Edi Rama ka përshëndetur lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike, të cilët, siç thotë ai, u bënë pre e dhunës dhe shfarrosjes së regjimit totalitar.

Lajme
“Sot, nëpërmjet lumnimit të 38 klerikëve, rregulltarëve dhe laikëve të Kishës Katolike, naltësimi i besimit të martirëve shqiptarë prek çdo altar, në çdo kishë të botës. Prej kësaj dite, emri i secilit prej tyre është gdhendur përjetësisht në kalendarin liturgjik, duke naltësuar përnjimend edhe emrin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve”, është shprehur Rama në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Kryeministri ka falenderuar autoritetet kishtare për celebrimin e denjë dhe për mirënjohjen publike ndaj mbështetjes së shumanëshme të qeverisë për atë që ai e quan një detyrë morale të patjetërsueshme.
“Kujtim të amshuar të lumëve martirë të Shqipërisë: “In memoria aeterna erit iustus; ab auditione mala non timebit” Ps. CXI”, ka thënë më tej Rama në postimin e tij.