Rama përgëzon Osmanin për ftesën nga Trump: Dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas ftesës që ajo ka marrë nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u bashkuar me Bordin e Paqes. Një ftesë e ngjashme i ishte drejtuar Ramës edhe disa ditë më parë, transmeton lajmi.net. Në reagimin e tij, Rama e cilësoi këtë veprim si…

Lajme

21/01/2026 11:01

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas ftesës që ajo ka marrë nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u bashkuar me Bordin e Paqes.

Një ftesë e ngjashme i ishte drejtuar Ramës edhe disa ditë më parë, transmeton lajmi.net.

Në reagimin e tij, Rama e cilësoi këtë veprim si një shenjë të rëndësishme të vëmendjes së SHBA-së ndaj Kosovës dhe si një hap që forcon më tej lidhjet mes popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara.

Ai theksoi se kjo ftesë përçon gjithashtu një mesazh të qartë për sigurinë dhe pozitën e Kosovës brenda interesave strategjike amerikane.

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë. Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e  për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkroi Rama në X./lajmi.net/