Rama për “Sunny Hill”: Është kryekëput faji i Qeverisë për zhvendosjen e festivalit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media ka folur për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë.

Lajme

16/06/2022 12:08

Për këtë veprim të organizatorëve të festivalit, Rama ka thënë se është kryekëput faji i Qeverisë së Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Ne jemi mundu me e përfundu sa më shpejtë që me u mbajte në Prishtinë e jo diku tjetër. Ne jemi përpjekur maksimalisht që t’ia mundësojmë festivalit që ta ketë shtëpinë e përhershme këtu në Kosovë. “Sunny Hill” i takon Kosovës. Zhvendosja e festivalit është kryekëput për shkak të zvarritjeve të Qeverisë e cila pavarësisht se i gjithë procesi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për festivalin është bërë në pajtim të plotë me ligjin, institucionet qendrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e Kuvendit Komunal dhe kompetencat e Kryetarit të Komunës ashtu si e konfirmoi dje edhe Asosacioni i Komunave të Kosovës. Për fat të keq, për çështje të tilla që fare nuk duhet të politizohen, janë munduar që për poena politik vendimin ta kthejnë në Kuvend, kundër vullnetit të shumicës së Asamblesë që përfaqëson vullnetin e sovranit në Prishtinë. Veprime të tilla janë të papranueshme”, ka thënë Rama.

Tutje, ai ka thënë se kjo zvarritje e Qeverisë është e pafalshme dhe i ka bërë dëm të madh artit e kulturës, imazhit të vendit, rinisë dhe ekonomisë së Prishtinës.

Ai ka sqaruar edhe disa detaje nga kontrata me “Sunny Hill”, e cila kishte marrë kritika të shumta në opinion.

“Për hir të transparencës së plotë dhe bashkëpunimit, Qeveria e Kosovës ka qenë vazhdimisht në dijeni për pikat e kontratës e cila ka qenë e gatshme për nënshkrim. Në kontratë theksohet se nëse për tri vjet, festivali “Sunny Hill” nuk mbahet për çfarëdo arsye, atëherë automatikisht prona i rikthehet Komunës së Prishtinës. Hapësira e dhënë në shfrytëzim do të jetë gjatë tërë vitit park publik i hapur për të gjithë qytetarët e vendit, ndërsa komuna e Prishtinës gjatë vitit do të ketë në dispozicion 60 ditë për organizim edhe për festivale të tjera. Kam besimin e plotë se festivali “Sunny Hill” nga viti tjetër e tutje do të jetë sërish në shtëpinë e vet në Prishtinë”, ka thënë ndër të tjerash Rama.

Kryetari i Prishtinës ka folur edhe për arsyen pse e ka ofruar Komuna në shfrytëzim pronën komunale për 99 vite.

“Numri 99 është abstrakt, pasi që ne e kemi që dy herë në vit duhet të raportojmë për çdo pronë që është dhënë në shfrytëzim. Po ashtu në kontratë e kemi që çdo tri vjet rishikohet marrëveshja, gjithashtu e kemi që në 25 vjet prap ka rishikim të kontratës dhe prona mund t’i kthehet komunës. Si të them, 99-shin nuk e kam pru unë, e kam gjetur këtu sepse Qeveria e kaluar e ka vendos që kjo tokë t’i ipet në shfrytëzim për 99 vite”, ka thënë Rama.

Rama ka deklaruar se nuk ka pasur mundësi që festivali të mbahet në Parkun e Gërmisë pasi që ai tashmë është vend i mbrojtur, ndërsa ka theksuar se sipas kalkulimeve të mëparshme, përfitimi i kryeqytetit ka qenë 7-8 milionë euro, ndërsa këtë vit ishte parashikuar të jetë përfitimi deri në 12 milionë euro. /Lajmi.net/