Rama për rastin Doshi: Ta lëmë çështjen në dorë të drejtësisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka marrë pjesë në asnjë nga debatet që u zhvilluan brenda dyerve të Kuvendit sot, por thjesht ka qëndruar dhe ka dëgjuar akuzat që shpërthyen mes Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Lajme
Por, pas mbylljes së seancës së sotme, ai ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat, ku ka folur edhe për videon e Tom Doshit.
Kryeministri Rama tha se gjithë këtë çështje duhet lënë në dorë Prokurorisë që ta hetojë deri në fund.
“Ministri ynë i Brendshëm dje e tha shumë qartë dhe nuk ngriti akuza por çmontoi në mënyrë të plotë akuzën e ngritur. Dhe megjithëse në këtë farsë është përfshirë një tufë personazhesh, as ministri i Brendshëm dhe askush nga ne nuk synon të përfitojë për shkak të përkatësisë familjare apo politike të personazheve me PD-në me PR-në dhe me të gjithë sojin dhe sorollopin e një opozite që po tretet në llum, por përsëri t’ia lëmë Prokurorisë, t’ia lëmë hetimit deri në fund”, tha Rama.
Më tej ai akuzoi ish-kryeministrin Berisha se nuk ka gojë të flasë për krime e shantazhe pasi është ai që gjatë viteve të qeverisjes së tij e la 21 janarin pa përgjigje, duke i mbyllur gojën Prokurorisë. Rama shprehu shqetësimin që po krijon gjithë kjo situatë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
“Besoj se sot ish kryeministri na dha hapur atë që në fakt ka qenë për të gjitha vitet e qeverisjes së tij; standardin, pra një njeri në krye të pushtetit që i mbyll gojën Prokurorisë dhe që ende sot e gjithë ditën ka lënë pa përgjigje 21 janarin, i takon Drejtësisë, Prokurorisë, i takon edhe gjithë procesit hetimor të zbardhë të vërtetën e kësaj farse që na turpëron të gjithëve, se merreni me mend se çfarë dëgjojnë e çfarë kuptojnë nga gjithë kjo marrëzi partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Edi Rama.