Rama për analizat e ujit të pishinës në Gërmi: Dje uji i ndotur e sot uji i pastër, zyrtarët ta ruajnë integritetin

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj vendimit për mbylljen e përkohshme të pishinës së Gërmisë, duke e cilësuar si një veprim të motivuar politikisht dhe të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka ngritur dyshime për kohën dhe arsyetimin e mbylljes së pishinës më 24 korrik – vetëm pak orë…

Lajme

25/07/2025 19:19

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj vendimit për mbylljen e përkohshme të pishinës së Gërmisë, duke e cilësuar si një veprim të motivuar politikisht dhe të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka ngritur dyshime për kohën dhe arsyetimin e mbylljes së pishinës më 24 korrik – vetëm pak orë para se të mbahej ceremonia e shpalljes së kandidaturës së tij për një mandat të dytë në amfiteatrin e Gërmisë.

Sipas tij, vendimi u mor mbi bazën e analizave të përkohshme për ndotje të ujit, ndërsa një ditë më vonë, më 25 korrik, analizat përfundimtare nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) konfirmuan se uji ishte brenda standardeve dhe pishina u rihap, transmeton lajmi.net

“Uji nuk ndryshon brenda nate! Ky nuk është kujdes, është kalkulim politik”, deklaroi Rama, duke akuzuar autoritetet për keqpërdorim të institucioneve publike në shërbim të interesave elektorale.

Ai shtoi se përdorimi i frikës dhe alarmit për qëllime politike është i rrezikshëm, i dënueshëm moralisht dhe i sanksionueshëm ligjërisht. Rama apeloi për ruajtje të integritetit profesional nga zyrtarët publikë dhe për mbrojtjen e interesit qytetar, duke theksuar se institucionet nuk duhet të shërbejnë si vegla partiake.

“Qytetarët nuk janë dhe nuk duhet të jenë mjet elektoral”, përfundoi kreu i Prishtinës./Lajmi.net/