Rama ngre alarmin për Lojërat Mesdhetare 2030: Kosova rrezikon ta humbasë këtë mundësi historike

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” është në rrezik, pas një letre të fundit të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), ku, sipas tij, janë evidentuar vonesat dhe detyrimet e papërmbushura nga institucionet përgjegjëse. Në një konferencë për media, Rama bëri të ditur se ICMG-ja ka dërguar…

Lajme

16/10/2026 12:41

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” është në rrezik, pas një letre të fundit të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), ku, sipas tij, janë evidentuar vonesat dhe detyrimet e papërmbushura nga institucionet përgjegjëse.

Në një konferencë për media, Rama bëri të ditur se ICMG-ja ka dërguar një paralajmërim zyrtar më 15 tetor, duke ngritur shqetësime për ecurinë e përgatitjeve. Ai njoftoi se më 19 dhjetor 2026 do të shqyrtohet e ardhmja e organizimit të kësaj ngjarjeje sportive në Prishtinë, raporton lajmi.net.

Sipas Ramës, shqetësimet e institucionit ndërkombëtar nuk janë të reja, pasi paralajmërimet për vonesat kanë nisur muaj më parë. Ai tha se një letër e datës 21 shtator ka mbetur pa përgjigje, ndërsa garancia bankare ose e sigurimit, e kërkuar që nga janari, ende nuk është dorëzuar.

Po ashtu, sipas tij, nuk janë përmbushur obligimet financiare që duhej të realizoheshin në qershor, ndërsa vonesa ka pasur edhe në krijimin e strukturave organizative, hartimin e masterplanit dhe përgatitjen e buxhetit.

“ICMG ka dërguar një letër zyrtare përmes së cilës paralajmëron për vonesat dhe mospërmbushjen e detyrimeve që rrezikojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë. Kjo nuk është letra e parë; është vazhdimësi e paralajmërimeve që kanë nisur muaj më parë dhe që, fatkeqësisht, nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga qeveria”, deklaroi Rama.

Përplasjet me Qeverinë për bordin drejtues

Një pjesë të përgjegjësisë për situatën, Rama ia atribuoi mungesës së koordinimit institucional dhe mosmbajtjes së mbledhjeve të bordit drejtues të organizimit të Lojërave Mesdhetare.

Ai tha se pas mbledhjes së 14 gushtit nuk është zhvilluar asnjë takim tjetër i bordit, ndonëse Komuna e Prishtinës, sipas tij, ka kërkuar vazhdimisht që çështjet e mbetura të trajtohen me urgjencë.

Kryetari i kryeqytetit tregoi se më 30 shtator ishte ndërmarrë iniciativa për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme më 8 tetor. Për këtë, sipas tij, nevojiteshin së paku pesë nënshkrime nga 13 anëtarët e bordit.

“Tre përfaqësuesit e kryeqytetit e nënshkruan kërkesën. Përfaqësuesit e qeverisë dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës nuk iu përgjigjën ftesës për nënshkrim. Si rezultat, mbledhja nuk u mbajt”, tha Rama.

Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse të reagojnë pa vonesa, duke theksuar se koha për përgatitjen e një ngjarjeje të përmasave të tilla po shkurtohet.

Rama thotë se Prishtina i ka përmbushur detyrimet

Pavarësisht problemeve të evidentuara, Rama pretendoi se Komuna e Prishtinës ka realizuar një pjesë të konsiderueshme të angazhimeve që i takojnë në këtë proces.

Ai përmendi miratimin e statusit të komitetit organizativ, më 8 qershor, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, si dhe përfundimin e regjistrimit të organizatës më 24 qershor.

Sipas tij, pesë portet urbane të propozuara nga kryeqyteti janë miratuar nga ICMG-ja më 29 qershor. Ndërkohë, propozimet për lokacionet sportive janë paraqitur edhe në Kuvendin Komunal për shqyrtim.

Rama vlerësoi se organizimi i Lojërave Mesdhetare nuk duhet të shihet si projekt i një partie apo institucioni të vetëm, por si një angazhim që prek interesat e gjithë vendit.

“Lojërat Mesdhetare nuk janë projekt i vetëm një individi, apo i një partie, apo i një institucioni. Lojërat Mesdhetare janë një angazhim ndërkombëtar i Republikës së Kosovës dhe një mundësi historike për zhvillimin e sportit, të infrastrukturës, ekonomisë dhe promovimit të vendit tonë”, u shpreh ai.

Emri i Lojërave dhe drejtimi i bordit, në qendër të mospajtimeve

Gjatë adresimit të tij, Rama foli edhe për mospajtimet me kryeministrin Albin Kurti lidhur me emërtimin e ngjarjes dhe udhëheqjen e bordit drejtues.

Sipas kryetarit të Prishtinës, kërkesa e Kurtit që emri i organizimit të ndryshohej nga “Prishtina 2030” në “Kosova 2030” ka ndikuar në zvarritjen e procesit. Rama pretendoi se kjo çështje, së bashku me insistimin që kryeministri të jetë në krye të bordit drejtues, ka kushtuar dy vjet kohë.

“Dy vjet i kemi humbur sepse kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që emri i Lojërave Mesdhetare të ndryshohet nga Prishtina 2030 në Kosova 2030. Natyrisht, kjo kërkesë nuk është aprovuar, sepse në të gjithë botën Lojërat Mesdhetare mbajnë emrin e qytetit”, deklaroi Rama.

Ai e cilësoi të pazakontë edhe kërkesën që kryeministri të udhëheqë bordin drejtues, duke theksuar se mosmarrëveshjet institucionale nuk duhet ta pengojnë realizimin e projektit.

“Kush do ta marrë përgjegjësinë nëse Kosova i humb Lojërat?”

Në fund të konferencës, Rama kërkoi përgjigje për çështjet që, sipas tij, po e rrezikojnë organizimin: mospërmbushjen e detyrimeve financiare, mungesën e garancisë së kërkuar dhe mosfunksionimin e bordit drejtues.

Ai pretendoi se Qeveria nuk u është përgjigjur komunikimeve të kryeqytetit dhe atyre drejtuar komitetit ndërkombëtar, duke paralajmëruar se pasojat mund të jenë serioze për Kosovën.

“Pse nuk janë përmbushur detyrimet financiare? Pse nuk është dërguar garancia e kërkuar? Pse nuk janë thirrur mbledhjet e bordit drejtues? Dhe kush do ta marrë përgjegjësinë nëse Kosova e humb këtë mundësi historike?”, pyeti Rama.

Ai tha se qëllimi i paraqitjes para mediave ishte ngritja e alarmit për rrezikun e evidentuar nga ICMG-ja dhe jo vetëm shprehja e pakënaqësisë ndaj institucioneve.

“Prishtina i ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe vazhdimisht ka kërkuar të mblidhet bordi pa përgjigje. Nuk jam këtu për t’u ankuar. Po ngre alarm publik për alarmet që ka ngritur ICMG-ja”, përfundoi kryetari i Prishtinës.

Vendimi që pritet të shqyrtohet më 19 dhjetor 2026 do të jetë vendimtar për të ardhmen e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ndërsa mbetet të shihet nëse institucionet do të arrijnë t’i përmbushin kërkesat e paraqitura brenda afateve të përcaktuara./lajmi.net/