Rama: Ne fitojmë më 11 maj, opozita nuk është kundërshtar
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më 11 maj, ditën e zgjedhjeve, do të dalin në dritë të gjitha të vërtetat. Gjatë bisedës së tij në rubrikën “Sy më Sy” me ndjekësit në rrjetet sociale, ai e cilësoi opozitën si një “qamet të madh” dhe theksoi se ajo nuk ka as parti të organizuar. “Do fitojmë…

Lajme
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më 11 maj, ditën e zgjedhjeve, do të dalin në dritë të gjitha të vërtetat. Gjatë bisedës së tij në rubrikën “Sy më Sy” me ndjekësit në rrjetet sociale, ai e cilësoi opozitën si një “qamet të madh” dhe theksoi se ajo nuk ka as parti të organizuar.
“Do fitojmë prapë se kemi bërë shumë punë, por edhe se nuk kemi kundërshtarë. Çfarë të bëjmë, nuk kemi kundërshtar”, deklaroi Rama.
Lidhur me kritikat e opozitës për krijimin e vendeve të punës, kreu i qeverisë theksoi se 300 mijë vende pune të krijuara janë një fakt i vërtetueshëm. Ai ftoi qytetarët të kontrollojnë regjistrin dhe të shohin ndryshimin e numrit të të punësuarve para dhe pas qeverisjes së tij.
“Kjo është e thjeshtë, merrni regjistrin dhe shihni sa të punësuar kishte në Shqipëri dhe sa janë sot. Do shihni që janë fakte, jo muhabet”, tha Rama.
Ai theksoi se më 11 maj, Partisë Socialiste i duhet një mandat me shumicë domethënëse, duke argumentuar se kjo do të ishte gjithashtu një mesazh i qartë për Brukselin.
“Duhet shumicë domethënëse, nuk është rastësi. Nuk është thjesht për këtu se për kë do votojmë ne, por është edhe për atë në Bruksel imazhi i fushatës sonë. Më 11 maj, Brukseli do marrë mesazhin se shqiptarët kërkojnë anëtarësimin tani dhe këtë mesazh shqiptarët mund ta japin”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Rama reagoi ndaj akuzave të Partisë Demokratike se qeveria e tij ka kopjuar programin elektoral të opozitës.
“Qajnë hallin se edhe u kopjua programi, është gjëa më qesharake në botë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë kod atomik, a thua se bëhet fjalë për ndonjë kod kasaforte, kodi i Da Vinçit, u kopjua Kodi i Da Vinçit, o Zot o Zot”, ironizoi kryeministri.