Rama: Ndërprerja e dialogut strategjik me SHBA-në, sinjal alarmi për dështimin e qeverisjes Kurti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj pezullimit të dialogut strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, duke e quajtur këtë një zhvillim tejet shqetësues dhe një pasojë të drejtpërdrejtë të veprimeve të pamatura të qeverisë Kurti. Në një deklaratë publike, Rama ka thënë se kjo ndërprerje tregon qartë…

Lajme

12/09/2025 14:41

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj pezullimit të dialogut strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, duke e quajtur këtë një zhvillim tejet shqetësues dhe një pasojë të drejtpërdrejtë të veprimeve të pamatura të qeverisë Kurti.

Në një deklaratë publike, Rama ka thënë se kjo ndërprerje tregon qartë se Kosova ka hyrë në një fazë të rrezikshme, ku po dëmtohen themelet e shtetësisë dhe po rrezikohen marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm të vendit, transmeton lajmi.net.

“Ndërprerja e dialogut strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Kosovën është zhvillim tejet shqetësues. Kjo tregon se Kosova ka hyrë në një fazë të rrezikshme, si pasojë e veprimeve të pamatura dhe të dëmshme të Albin Kurtit,” ka shkruar ai.

Rama ka bërë thirrje për reflektim qytetar dhe politik, duke theksuar se subjekti politik në pushtet është duke e rrënuar çdo ditë e më shumë shtetin dhe raportet me SHBA-në.

“Është momenti i fundit që qytetarët të reflektojnë seriozisht për këtë subjekt politik, i cili çdo ditë e më shumë po rrënon themelet e shtetësisë së Kosovës dhe raportet me aleatin tonë më të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” përfundon reagimin e tij kreu i Prishtinës./lajmi.net/