Rama: Murali “Çast” është akt kujtese dhe respekti për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Në Prishtinë është zbuluar sot murali “Çast”, një vepër artistike e dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Me këtë rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se murali përfaqëson një akt të rëndësishëm kujtese dhe respekti për të gjithë ata që përjetuan krimet e luftës, duke nderuar forcën dhe…

Lajme

17/06/2026 13:17

Në Prishtinë është zbuluar sot murali “Çast”, një vepër artistike e dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me këtë rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se murali përfaqëson një akt të rëndësishëm kujtese dhe respekti për të gjithë ata që përjetuan krimet e luftës, duke nderuar forcën dhe dinjitetin e tyre.

Përmes një postimi, Rama theksoi se murali, i vendosur në zemër të kryeqytetit, i kushtohet çdo gruaje dhe burri që i mbijetoi dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Ky mural, i vendosur në zemër të Prishtinës, është një akt kujtese dhe respekti për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ai është në nderim të çdo gruaje dhe burri që mbijetoi këtë krim të tmerrshëm lufte”, ka shkruar Rama.

Ai ka vlerësuar iniciativën për realizimin e muralit, duke shprehur mirënjohje për ish-presidenten Atifete Jahjaga, kuratoren Eliza Hoxha dhe organizatën Q’art për angazhimin e tyre në sjelljen e kësaj vepre në hapësirën publike.

“E përgëzoj Presidenten Jahjaga për këtë iniciativë, kuratoren Eliza Hoxha dhe Q’art për realizimin e saj. Jemi shumë të lumtur që si Kryeqytet kemi pasur mundësinë ta mbështesim këtë projekt dhe t’i japim hapësirë kësaj pjese të rëndësishme të historisë sonë të përbashkët”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, murali “Çast” do të shërbejë si një kujtesë e përhershme për sakrificën, dhimbjen dhe qëndresën e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Ky mural do të mbetet këtu, që secili që kalon pranë tij të kujtojë sakrificën e këtij populli dhe të mos harrojë kurrë plagët që ka lënë lufta”, përfundoi Rama. /Lajmi.net/