Rama merr vendim: Do ta krijojmë ndërmarrjen e re publike komunale të “Pastrimit”
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se kryeqyteti do ta krijojë ndërmarrjen e re publike komunale të “Pastrimit”. Në një konferencë për media, Rama ka thënë se kryeqyteti aktualisht bart barrën kryesore të Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, në kuadër të së cilës përfshihen Prishtina, Obiliqi, Fushë Kosova, Lipjani, Podujeva dhe Drenasi dhe se…
Lajme
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se kryeqyteti do ta krijojë ndërmarrjen e re publike komunale të “Pastrimit”.
Në një konferencë për media, Rama ka thënë se kryeqyteti aktualisht bart barrën kryesore të Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, në kuadër të së cilës përfshihen Prishtina, Obiliqi, Fushë Kosova, Lipjani, Podujeva dhe Drenasi dhe se sipas tij, sistemi aktual nuk po arrin t’u përgjigjet më nevojave të kryeqytetit.
“Që nga viti 2024, Hekuran Murati nuk e ka nënshkruar marrëveshjen me KfW-në për investimin prej 74.1 MILIONË EURO në sistemin e pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave. Kryeqyteti i ka përmbushur obligimet e veta. Dokumentet janë tashmë publike. Procesi ka mbetur i bllokuar për një nënshkrim. Dhe çmimin e këtij bllokimi nuk e paguan ministri. E paguajnë qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Rama.
Ai ka njoftuar se këtë javë kanë mbajtur takim me kryetarët e komunave që janë pjesë e Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, me menaxhmentin dhe punëtorët e kompanisë dhe kanë marrë vendim që ta krijojnë Ndërmarrjen e Re Publike Komunale të Pastrimit të Kryeqytetit.
“Do të krijojmë kapacitetet tona, të dedikuara për Prishtinën, për një sistem pastrimi funksional, efikas dhe të qëndrueshëm. Punëtorët e ndërmarrjes “PASTRIMI” dua t’i siguroj: ASKUSH NUK DO TË MBETET PA PUNË. Ata do të jenë pjesë e zgjidhjes dhe e sistemit të ri që po ndërtojmë. Falë Ligjit për Kryeqytetin, për krijimin e ndërmarrjes së re nuk na duhet pëlqimi i Qeverisë. Dhe kjo është pjesa më e rëndësishme. Sepse, po të varej edhe kjo nga një nënshkrim i Qeverisë, do të rrezikonim të kishim edhe një projekt tjetër të Prishtinës të bllokuar. Qytetarët nuk mund të presin dhe Prishtina nuk mund të mbahet peng. Kur një zgjidhje bllokohet, ne kemi përgjegjësi të krijojmë një tjetër. Prandaj po ecim përpara me krijimin e ndërmarrjes së re të pastrimit, me një qëllim shumë të qartë: t’i sigurojmë Kryeqytetit kapacitetet që i duhen dhe qytetarëve një Prishtinë të pastër”, ka shkruar Rama. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: