Rama: Kush keqpërdor fondet publike për të blerë vota duhet të përgjigjet para drejtësisë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nënkupton mosrespektim të shtetit, ndërsa ka kërkuar përgjegjësi për keqpërdorimin e fondeve publike. Rama, pasi nënshkroi peticionin dhe nismën legjislative qytetare të Institutit të Kosovës për Drejtësi për ndryshimin e Kodit Penal, tha se qytetarët duhet të kërkojnë përgjegjësi…

Lajme

18/08/2026 10:36

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nënkupton mosrespektim të shtetit, ndërsa ka kërkuar përgjegjësi për keqpërdorimin e fondeve publike.

Rama, pasi nënshkroi peticionin dhe nismën legjislative qytetare të Institutit të Kosovës për Drejtësi për ndryshimin e Kodit Penal, tha se qytetarët duhet të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet dhe politikanët, shkruan lajmi.net.

“Demokracia po fillon me qytetarizëm aktiv. Ju përgëzoj për këtë nismë… nismë me të cilën tregojnë që populli ynë, në njëfarë mënyre edhe ka filluar një vetëdijësim edhe më të qartë, të jetë në nivelin shoqëror, ku edhe kërkon përgjegjësi nga institucionet, kërkon përgjegjësi nga politikanët, kërkon përgjegjësi nga secili qytetar që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pra që të respektohet ligji në fuqi, që të respektohet faktikisht shteti”, tha Rama.

Ai theksoi se kushdo që nuk i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk po e respekton shtetin.

“Sepse person, kushdo që ata janë, nëse nuk e respektojnë… nëse nuk i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në njëfarë mënyre nuk po e respektojnë as shtetin”, u shpreh ai.

Rama foli edhe për përdorimin e fondeve publike për interesa partiake, duke kërkuar që personat përgjegjës të përballen me drejtësinë.

“Po ashtu edhe ata të cilët partitë apo personat të cilët i kanë keqpërdorur ligjin apo i kanë i kanë keqpërdorur fondet publike për nevojat e veta partiake, pra siç ka ndodhur edhe në dhjetor, edhe tash në qershor, ku paratë publike janë përdorur në njëfarë mënyre për me i blerë votat këto janë gjëra të jashtëligjshme për të cilat edhe duhet me u përgjigjur para Gjykatës Kushtetuese, pra duhet njerëzit me shku në burg nëse i kanë keqpërdorur paratë publike”, tha Rama.

Ai shtoi se shoqëria duhet të angazhohet që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen nga të gjithë.

“Këto janë gjëra të cilat ne të gjithë si shoqëri pra duhet t’i shtyjmë përpara, pra që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të jenë të plotfuqishme dhe secili qytetar t’i respektojë ato, përndryshe e rrezikojmë shtetin”, tha ai.

Rama tregoi se peticionin e ka nënshkruar për të mbështetur këtë nismë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen asaj.

“Kjo është edhe arsyeja pse unë jam sot këtu, e nënshkrova këtë peticion, këtë nismë. Dhe i përgëzoj të gjithë qytetarët e Kryeqytetit dhe të gjithë Kosovës të cilët janë bërë pjesë e kësaj nisme”, deklaroi Rama.

Ai u shpreh optimist se nisma do të mbledhë mbi 10 mijë nënshkrime.

“Uroj që së shpejti të kemi më shumë se 10.000 apo 12.000 e më tepër, pra më shumë se 10.000 nënshkrime, ku edhe vendimet ose nënshkrimet e këtij peticioni pastaj të marrin hapat e veta dhe të bëhet pjesë e ligjit pjesë e ligjit i cili edhe mundëson vendimet që kushdo që nuk e respekton ligjin, pra përfundon aty ku edhe meriton, përfundon në burg”, përfundoi Rama. /Lajmi.net/