Rama kërkon sqarime nga BIRN për profilin “Lule Gjeli”, paralajmëron rishqyrtim të bashkëpunimit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar sqarime publike nga BIRN Kosova, Kallxo.com, Internews Kosova dhe drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra, lidhur me publikimin e një analize nga profili “Lule Gjeli”, për të cilin ai thotë se tashmë është identifikuar si profil fiktiv. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi publikimin e analizës…

Lajme

25/07/2026 13:56

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar sqarime publike nga BIRN Kosova, Kallxo.com, Internews Kosova dhe drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra, lidhur me publikimin e një analize nga profili “Lule Gjeli”, për të cilin ai thotë se tashmë është identifikuar si profil fiktiv.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi publikimin e analizës nga ky profil si një alarm serioz për shkelje të standardeve etike dhe ligjore, duke ngritur një sërë pyetjesh për organizatat dhe mediumin në fjalë.

Ai kërkoi përgjigje publike për identitetin e autorit që ka përdorur emrin “Lule Gjeli”, natyrën e bashkëpunimit me këtë profil, kohëzgjatjen e tij, nëse autori është paguar dhe me çfarë fondesh, si dhe nëse ka pasur përfshirje të ndonjë politikani gjatë angazhimit të këtij profili në publikimin e, siç i quan ai, “opinioneve proqeveritare”.

Postimi i plotë:

Publikimi i analizës nga profili famëkeq fiktiv “Lule Gjeli” në Kallxocom, medium që drejton Jeta Xharra, është alarm i frikshëm për shkelje të rëndë të standardeve etike dhe ligjore dhe ngre pikëpyetje serioze që meritojnë përgjigje të qarta dhe publike!
Në emër të transparencës dhe llogaridhënies publike, i bëj thirrje BIRN Kosovës, Kallxocom, Internews Kosova dhe drejtoreshës Jeta Xharra që të sqarojnë publikisht këto çështje:
1. Kush është autori me emrin “Lule Gjeli”?
2. Çfarë bashkëpunimi tjetër kanë pasur me Lule Gjeli?
3. Në cilën periudhë kohore ka bashkëpunuar me të, sa ka zgjatur ky bashkëpunim, a është paguar ajo/ai për publikimet e saj dhe me çfarë fondesh është paguar?
4. A ka qenë ndonjë politikan i përfshirë në diskutimet gjatë angazhimit të Lule Gjelit në publikimin e “opinioneve” pro qeveritare?
5. A do t’i kërkoni falje qindra viktimave, një prej të cilave jam edhe unë, për dëmin që u ka shkaktuar profili Lule Gjeli?
Unë pres reagim dhe sqarim publik më se largu deri të hënën. Deri atëherë, dhe derisa këto çështje të jenë sqaruar plotësisht, në mënyrë transparente dhe bindëse, Kryeqyteti do të rishqyrtojë çdo formë të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën. Nëse sqarimet nuk i përmbushin standardet e transparencës që qytetarët meritojnë, do të kërkoj ndërprerjen e çdo bashkëpunimi institucional me BIRN Kosovën.
Institucionet publike kanë detyrim të mbrojnë jo vetëm resurset publike, por edhe interesin publik dhe besimin e qytetarëve!
Për këtë arsye, Kryeqyteti nuk mund të vazhdojë të ofrojë mbështetje institucionale për asnjë organizatë ndaj së cilës ekzistojnë dyshime serioze dhe të pazgjidhura lidhur me përkushtimin e saj ndaj interesit publik, llogaridhënies demokratike dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.
Paraja publike dhe hapësirat publike u përkasin qytetarëve. Ato administrohen ekskluzivisht në funksion të interesit të tyre dhe nuk mund të vihen në dispozicion të askujt derisa të jenë adresuar dhe sqaruar plotësisht çështjet që cenojnë besimin publik!/Lajmi.net/