Rama jep lajmin: Linja direkte Tiranë-SHBA, drejt finalizmit – Aeroporti i Vlorës do hapet
Shqipëria ka shënuar një moment historik me inaugurimin e fluturimit të parë transoqeanik Tiranë-Toronto. Kryeministri Edi Rama tha se shumë shpejt pritet të nisë edhe linja direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë ceremonisë në aeroportin e Rinasit, kreu i qeverisë deklaroi se ky objektiv strategjik është shumë afër finalizimit, madje shumë më herët…
Lajme
Shqipëria ka shënuar një moment historik me inaugurimin e fluturimit të parë transoqeanik Tiranë-Toronto. Kryeministri Edi Rama tha se shumë shpejt pritet të nisë edhe linja direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë ceremonisë në aeroportin e Rinasit, kreu i qeverisë deklaroi se ky objektiv strategjik është shumë afër finalizimit, madje shumë më herët nga sa mendohej pak vite më parë.
“Shumë gjëra u thanë dhe nuk është e udhës që t’i përsëris për të zgjatur këtë takim, që ka një rëndësi të madhe për faktin se për herë të parë Shqipëria bëhet pjesë e hartës së fluturimeve transoqeanike, që deri dje mund të ishte një fantazi e shfrenuar dhe sot është realitet. Shqiptarët janë padiskutim të parët për dy gjëra: për mesazhe me celularë dhe fluturime me avion.
Padiskutim që linja do të jetë shumë e suksesshme. Objektivi ynë strategjik është që së shpejti të kemi linjën tonë direkte me SHBA-të. Në raport me këtë objektiv është bërë një përparim i konsiderueshëm dhe mund të themi që jemi shumë afër finalizimit, më shumë se sa mund të mendonim pak vite më parë.”
Rama u shpreh optimist për suksesin e këtyre linjave, duke vënë në dukje rritjen e jashtëzakonshme të Aeroportit të Tiranës nga viti 2016 deri në vitin 2025.
Krahas zgjerimit të hartës së fluturimeve, ai paralajmëroi edhe një projekt të ri modernizimi që përfshin vendosjen e portave digjitale, të cilat do të lejojnë kalimin pa kontrolle për të gjithë qytetarët me pasaportë shqiptare.
“Mjafton të shihen shifrat e ndryshuara të 9 viteve, nga 2016-2025, për të kuptuar se çfarë rritjeje ka ndodhur me Aeroportin e Tiranës. Nuk është vetëm rritja e numrit të pasagjerëve, por edhe rritja e cilësisë së shërbimit. Së shpejti po këtu ne do të hapim një kapitull të ri, të digjitalizimit dhe të modernizimit të aeroportit, kapitullin e portave digjitale, të cilat do të jenë porta në të cilat do të hyhet pa asnjë kontroll nëse je një pasagjer shqiptar dhe ke një pasaportë shqiptare.”
Rama tha gjithashtu se Aeroporti i Vlorës do të hapet pavarësisht mosmarrëveshjeve mes kompanive. Kreu i qeverisë dha lajmin se së shpejti hapet gara për Aeroportin e Gjirokastrës.
“Objektivi ynë është shumë i madh, që Aeroporti i Vlorës të hapet me patjetër dhe të mos jetë pre e mosmarrëveshjeve mes kompanive. Jemi duke përgatitur garën për aeroportin e Gjirokastrës, që do të jetë një aeroport turistik dhe sezonal. Nuk kemi asnjë arsye për të hequr dorë nga zhvillimi i mëtejshëm i aeroportit të Kukësit”, tha Rama.