Rama i drejtohet me letër të hapur Kurtit: Zhbllokoni Unazën e Prishtinës, rrezikohen mbi 82 milionë euro grant
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, duke kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të projektit të Unazës së Prishtinës, të cilin e ka cilësuar si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe vendin. Rama ka theksuar se, pavarësisht gatishmërisë së plotë…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, duke kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të projektit të Unazës së Prishtinës, të cilin e ka cilësuar si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe vendin.
Rama ka theksuar se, pavarësisht gatishmërisë së plotë teknike, ligjore dhe procedurale të Komunës së Prishtinës, projekti ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror për më shumë se katër vjet, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe interesin publik, raporton lajmi.net
Ai ka kujtuar se gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri në detyrë kishte bërë thirrje publike për zhbllokimin e këtij projekti, ndërsa tani, sipas Ramës, ekziston edhe mandati demokratik dhe institucional për ta çuar atë përpara pa vonesa të mëtejshme.
Postimi i plotë:
Letër e Hapur Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës
I nderuar Kryeministër në detyrë,
Unaza e Prishtinës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Ky projekt nuk është vetëm një nevojë urbane për lehtësimin e trafikut dhe rritjen e funksionalitetit të qytetit, por edhe një investim strategjik me rëndësi kombëtare dhe rajonale.
Megjithatë, për më shumë se katër vjet, realizimi i këtij projekti ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror, pavarësisht gatishmërisë së plotë teknike, ligjore dhe procedurale të Komunës së Prishtinës. Ky bllokim i zgjatur ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e kryeqytetit dhe po cenon seriozisht interesin publik.
Gjatë fushatës zgjedhore, ju publikisht keni bërë thirrje për zhbllokimin e Unazës së Prishtinës, duke e pranuar rëndësinë e saj strategjike dhe kombëtare. Sot, pas shprehjes së qartë të vullnetit demokratik të qytetarëve të Prishtinës, ekziston edhe mandati institucional për ta çuar këtë projekt përpara pa vonesa të mëtejshme.
Dua të theksoj se projekti i Unazës së Kryeqytetit është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në vlerë totale prej 206 milionë euro, nga të cilat deri në 40% janë fonde grant, respektivisht deri në 82.4 milionë euro mjete të pakthyeshme. Këto fonde janë të kushtëzuara me afate të qarta kohore dhe çdo zvarritje institucionale rrezikon drejtpërdrejt humbjen e tyre.
Ky projekt është i njohur si pjesë e rrjetit të autostradave të Ballkanit Perëndimor, çka e bën atë një prioritet strategjik kombëtar, e jo një projekt të nivelit lokal. Humbja e mbi 82 milionë eurove grant do të ishte një dëm i madh jo vetëm për Prishtinën, por për Republikën e Kosovës në tërësi, duke dëmtuar gjithashtu kredibilitetin institucional të vendit ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Në emër të qytetarëve të Prishtinës, kërkoj publikisht që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës të zhbllokojë menjëherë të gjitha pengesat administrative dhe institucionale që po e pengojnë realizimin e Unazës së Prishtinës dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të mëtejshme.
Ky nuk është një projekt politik. Nuk i shërben një partie apo një mandati, por zhvillimit afatgjatë të vendit, ekonomisë, mobilitetit urban dhe cilësisë së jetës së qytetarëve. Vazhdimi i bllokimit dëmton interesin publik dhe e penalizon padrejtësisht Kryeqytetin për shkak të moskoordinimit institucional.
Është koha që Unaza e Prishtinës të zhbllokohet.
Është koha që interesat e qytetarëve të vendosen mbi çdo kalkulim politik.
Me respekt,
Përparim Rama
Kryetar i Prishtinës./Lajmi.net/